Islam Pacolli, deputet i Kuvendit të Kosovës

Islam Pacolli mohon sulmin ndaj oficerit të sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli e ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës për ta mohuar sulmin ndaj oficerit të sigurisë të Ministrisë së Drejtësisë.

“Nuk është e vërtetë që e kam sulmuar, ky është inskenim, e vërteta është se kam dashtë me hi në objekt me ID, dhe ai ka vendosë me më kthy prapa, i bëj thirrje mediave që mos t’i propagandojnë se gjoja jam arrestuar, kjo nuk është e vërtetë, këtë koha do ta vërtetojë”, ka thënë Pacolli.

Poashtu Pacolli bëri thirrje nga foltorja që njerëzit që janë nëpër institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë ligjin.

Pak ditë më parë është raportuar se një oficer i sigurisë së Ministrisë së Drejtësisë është sulmuar nga një deputet i Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj, ka thënë për KALLXO.com se ngjarja është raportuar rreth orës 15:00.

“Është raportuar se një oficer sigurie në Ministrinë e Drejtësisë deri sa ka qenë në kryerje të detyrës është sulmuar nga një deputet. Deri te sulmi dyshohet të ketë ardhur për shkak se deputeti ka refuzuar të zbatoj urdhrat e ligjshëm të dhënë nga oficeri policor”, ka thënë Ahmeti- Haziraj për KALLXO.com.

Islam Pacolli përmes një bisede telefonike para pak dite për KALLXO.com, i ka konsideruar si të pasakta informatat për sulm ndaj oficerit të sigurimit të Ministrisë së Drejtësisë.

https://kallxo.com/islam-pacolli-flet-per-dyshimet-se-sulmoi-policin/