Xhemajl Mustafa, zyrtar i LDK-së, i vrarë më 23.11.2000 - Foto: Facebook

Isa Mustafa Përkujton Xhemajl Mustafën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar zyrtarin e LDK-së, Xhemajl Mustafën, i cili u vra 16 vjet më parë në hyrje të objektit ku jetonte.

Përmes një komunikate, Mustafa ka dënuar vrasjen “tinëzare” të Xhemajl Mustafës, të cilin e ka quajtur intelektual të jashtëzakonshëm dhe veprimtar të shquar të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe një prej emblemave të lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të prirë nga Presidenti Historik, Ibrahim Rugova.

“Xhemajl Mustafa, gjatë veprimtarisë kolosale në shërbim të atdheut, dha kontribut të madh për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës, me theks të veçantë në fushën e informimit dhe të sensibilizimit të opinionit vendor e ndërkombëtar, për Kosovën dhe kauzën e saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Mustafa ka ripërsëritur kërkesën për zbardhjen sa më të shpejt të vrasjes së Xhemajl Mustafës dhe dhjetëra personaliteteve politike të shquara të Kosovës, të vrarë në atë periudhë.

Xhemajl Mustafa është vrarë më 23 nëntor 2000 në hyrje të objektit ku gjendej banesa e tij në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.