‘IPKO’ e Kundërshton Padinë e ish-Punëtorit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar shqyrtimi kryesor në rastin ku Viktor Krasniqi ka paditur kompaninë “IPKO” me pretendimin se e larguan padrejtësisht nga puna.

Në seancën e re, përfaqësuesit e palëve i kanë dhënë propozimet e tyre.

Isamedin Dedinca, si përfaqësues i kompanisë “IPKO”, e kundërshtoi padinë duke e cilësuar si të pabazuar dhe tha se vendimi i kompanisë ishte i bazuar sipas legjislacionit në fuqi.

“Ne mbesim pranë thënieve nga seanca e kaluar ashtu që kërkesë-padinë e paditësit e kontestojmë në tërësi. Paditësi ka pasur përformancë të dobët dhe si rezultat e kësaj e paditura me datë 07.10.2015 i ka shqiptuar vërejtjen e fundit për moskryerjen e detyrave të tij në bazë të detyrimeve që dalin nga legjislacioni në fuqi dhe kontrata e punës. E paditura duke parë se nuk ka përmirësime e ka nxjerrë një vendim se nuk do t’i ripërtërihet kontrata e punës dhe duke e njoftuar paditësin se të gjitha obligimet ndaj tij do t’i kompensohen deri më datë 28.03.2016 e të cilën provë ia dorëzojmë sot Gjykatës”, tha Dedinca.

Avokatja Vahide Braha si përfaqësuese e paditësit tha se qëndrojnë pranë padisë dhe konstatimit të tyre se është bërë një largim i kundërligjshëm nga puna.

“Mbetemi në tërësi pranë padisë dhe kërkesë-padisë që e kemi parashtruar. Aspak nuk është e vërtetë që përformanca e paditësit ka qenë e dobët pasi edhe provat që i ka sjellë e paditura janë evidente se përformanca ka qenë më shumë se e mirë sepse kënaqshmëria është mbi mesatare. Sa i përket ndërprerjes së kontratës, konsiderojmë se ka qenë ndërprerje me qëllim diskriminimi dhe manipulim  provash me qëllim që ta largojnë paditësin nga puna dhe ta zëvendësojnë me një të njohur të tyre familjar apo shok të tyre. Kjo është bërë qëllimisht dhe në mënyrë të kundërligjshme”, tha Braha.

Vahide Braha gjithashtu propozoi që në seancën e radhës si dëshmitar të dëgjohet Viktor Krasniqi si palë paditëse dhe të thirret si dëshmitar edhe Luan Hoti, kryetar i Sindikatës së kompanisë “IPKO”.

Këto propozime pala e paditur i refuzoi me arsyetimin se nuk do t’i ndihmojnë zgjidhjes së rastit, mirëpo Gjykata mori aktvendim me të cilin u aprovuan propozimet e Brahës.

Sipas padisë, Krasniqi ka kërkuar që Gjykata të vendosë që kompania të bëjë kompensimin e të ardhurave për punëtorin nga momenti i ndërprerjes së punës, sipas saj, të kundërligjshme e deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë “IPKO” ka theksuar se largimi nga puna ishte bërë si rezultat i përformancës së dobët të Viktor Krasniqit.

“IPKO” pretendon se në këtë rast kemi të bëjmë me mosvazhdim të marrëdhënies së punës e jo ndërprerje siç pretendon pala paditëse.

KALLXO.com kishte raportuar edhe kur ishte mbajtur seanca e parë në këtë rast.

http://kallxo.com/punetori-padite-ipko-n-kerkon-kompensim-te-pagave/