Ilustrim: Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Detaje - Mbikëqyrësi i Burgut të Dubravës dyshohet se mori para nga familja e një të burgosuri

Dyshimet për marrje ryshfeti, favore për të burgosurit, mbikëqyrësi i Qendrës Korrektuese Dubravë, Sh. G., është larguar nga puna me vendim të menaxhmentit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Për këtë çështje njoftoi SHKK duke thënë se i njëjti keqpërdori detyrën e tij zyrtare.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen me dyshimet që janë ngritur për mbikëqyrësin e burgut të Dubravës Sh. G.

Sipas dosjes, ndaj të njëjtit fillimisht ishte iniciuar procedura disiplinore në mars të këtij viti nga zëvendësdrejtoresha e burgut të Dubravës nën dyshimin se Sh. G., në periudha të ndryshme kohore duke keqpërdorur pozitën që mbante në pavijonin numër 3 ka marrë mito për të kryer shërbime apo favore ndaj të burgosurve.

Për këto veprime, Sh. G., dyshohet se ka kryer shkelje të rëndë disiplinore.

Gjithashtu tutje në dosje përmendet edhe fakti se ndaj Sh. G., mbikëqyrës në Burgun e Dubravës ishte nisur edhe një procedurë tjetër nën dyshimet se në dhjetor të vitit 2022 nuk kishte arritur që të menaxhoj rastin kur i burgosuri me inicialet F. N. kishte sulmuar dy oficerë korrektues brenda burgut.

Për këto dy lëndë që janë iniciuar ndaj mbikëqyrësit Sh. G., është marrë vendim që të largohet nga puna ndërsa në dosje përmenden edhe faktet që kanë mbledhur SHKK për të vërtetuar dyshimet që rëndojnë mbi të njëjtin.

Përmes rrjeteve sociale bëhet e ditur se është faktuar se Sh. G., ka pranuar ryshfet nga familjarët e një të dënuari. Dëshmi e deklarata të të burgosurve e edhe të vetë mbikëqyrësit Sh. G. me ç’rast kishte pranuar se kishte biseduar përmes rrjeteve sociale me familjarët e një të burgosuri.

Paratë që kishte marrë nga familjarët e të burgosurve, mbikëqyrësi i kishte konsideruar si bamirësi nga ana e tyre dhe se do të jua kthente ato para.

Një rast tjetër që është ngritur ndaj Sh. G. është edhe fakti se ai dyshohet se nuk kishte menaxhuar një rast të sulmit ndaj dy oficerëve korrektues nga ana e një të burgosuri.

Madje në deklaratën e dhënë para komisionit disiplinor, Sh. G. e kishte përshkruar këtë të burgosur si “fytyrë të urryer për të gjithë stafin”.

Ai madje kishte pranuar se kishte parë që i njëjti i burgosur ka sulmuar njërin nga oficerët korrektues.

Për këtë çështje komisioni disiplinor ngriti dyshimet dhe procedurën disiplinore se nuk e kishte menaxhuar mirë rastin e sulmit.

Për këtë atij iu ngrit procedura për mos përmbushje të detyrave zyrtare.

I njëjti mbikëqyrës nuk ka vetëm këto dy raste të iniciuara disiplinore. Në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com të njëjtit i figuron një rast në vitin 2019 ku i ishte shqiptuar masa e uljes në pozitë dhe një rast tjetër në vitin 2016 të cilit i ishte shqiptuar masa e transferimit në një institucion tjetër për 6 muaj.

Këto raste janë marrë si rrethanë rënduese për mbikëqyrësin Sh. G., i cili tashmë është larguar nga puna me vendim të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

SHKK largon nga puna mbikëqyrësin e Burgut të Dubravës