Ramush Haradinaj e Behgjet Pacolli

Hutohet Pacolli, ngatërron kryeministrin e Samoas

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministër i Jashtëm , Behgjet Pacolli, njoftuan se gjatë ditës së sotme janë takuar bashkë me Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi, kryeministër i Samoas, një shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhjetë vjet më parë.

Mirëpo, në njoftimet e tyre të ndara për takimin me kryeministrin e Samoas, ministri Pacolli ia ka ‘huqur’ me fotografi, raporton KALLXO.com.

Në postimet e tyre në “Facebook” pavarësisht se kanë shkruar se janë takuar me kryeministrin e Samoa’s, në fotografi shihen persona të ndryshëm.

Në llogarinë e Haradinajt shihet kryeministri i këtij vendi, por jo edhe në fotografitë e publikuara nga Pacolli.

Në fotografitë e Pacollit shihet një burrështetas i një vendi tjetër.

Haradinaj shkroi po ashtu se nga homologu Malielegaoi ka kërkuar mbështetjen e Samoas për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Së bashku me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli, patëm kënaqësinë që ta takojmë kryeministrin e Samoa’s, Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi, të cilit i kërkuam votën e shtetit të tij për ta çuar përpara agjendën e Kosovës, drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj.

“Samoa është një ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën dhe me të cilin shtet vendi ynë tashmë ka ndërtuar marrëdhënie diplomatike dhe si vend anëtarë në OKB, vota e këtij në fuqizimin ndërkombëtarë të Kosovës, është tejet e nevojshme”, ka shtuar kryeministri Haradinaj, raporton kallxo.com.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kjo vizitë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e Paqësorit.

“Bashkë me Kryeministrin Haradinaj filluam lobimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e takuar Kryeministrin e Samoa-s, me qëllimin e thellimit të marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e Paqësorit.
Qëllimi ynë kryesor është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare për ti kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe botë. Kosova është e lumtur që të ketë miq rreth botës.”, shkroi Pacolli.

Më poshtë mund të shihni edhe fotografitë e publikuara nga kryeministri Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Pacolli: