Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti

Hoti: Buxheti 2018, i Udhëhequr nga Motive Provinciale Politike

Është për keqardhje që pas 3 viteve të përmirësimit të strukturës, Buxheti i vitit 2018 degradon dhe kthehet në situatën e para vitit 2015, ka thënë deputeti Avdullah Hoti.

Gjatë debatit për Projektbuxhetin 2018 në Kuvendin e Kosovës, deputeti i LDK-së e quajti buxhet të udhëhequr me motive provinciale politike.

“Ky është buxheti me rritjen më të vogël të të hyrave”, tha Hoti.

Sipas Avdullah Hotit, ky Projektbuxhet dëmton bizneset dhe investimet që do të ndodhin në ekonomi.

“Kjo Qeveri me këtë buxhet bën që trendi i investimeve të përgjysmohet”, shtoi Hoti, duke theksuar se te shpenzimet shpërfaqen dobësitë e këtij buxheti.

Sipas tij, ka mungesë të vizionit se kah do të orientohet ekonomia e Kosovës.

Po ashtu, Hoti tha se me këtë buxhet janë hequr projektet që kanë nisur nga komunat në dy vitet e fundit nga niveli qendror.

Sa u përket subvencioneve, ato rriten ndjeshëm, por jo për bujqësi siç ka qenë premtimi elektoral, theksoi tutje Avdullah Hoti.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.