Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu: Projektligjin për Dialogun duket sikur ta ketë shkruar Thaçi

Deputetja Abulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, në debatin që është duke u zhvilluar në Kuvend u shpreh se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për detyrat e dialogut shtetëror për bisedimet me Serbinë.

Haxhiu thotë se Projektligji për Pagat duket sikur të ishte shkruar nga Presidenti.

Ajo përveç vërejteve për këtë Projektligj tha se  PSD duke iu bashkuar dialogut me votat e Vetëvendosjes  “e ka nxjerr Thaçin nga vetmia e madhe”.

“Ata që i kanë marr votat e Vetëvendosjes, nuk kanë të drejtë me hy në pazare dhe nuk kanë të drejtë ta legjitimojnë Thaçin. Nëse duan ta legjitimojnë atë, hajde lë të shkojmë në zgjedhje. Nuk ka të drejtë që askush të marrë vendime të tjera, për sa kohë është deputet me votat e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky projektligj është skandaloz në aspektin politik, por po ashtu edhe kundërkushtetues. Në emër të grupit parlamentar, ju njoftoj se ne do ta dërgojmë  në Gjykatën Kushtetuese” tha Haxhiu.

“Ata që dikur i kundërshtonin negociatat tanimë e kanë prezantuar këtë projektligj që duket sikur ta ketë shkruar vetë Hashim Thaçi, vetëm lexojeni prej nenit një deri të i fundit duket komplet sikurse të jetë shkruar nga vetë ai”, shtoi deputetja Haxhiu.

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën plenare kritikoi Projektligjin duke e quajtur si “ më koti”.

Ai gjithashtu, u shpreh kundër ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

“Është projektligji më koti që ka pasur Kuvendi i Kosovës, kur po e analizoj nga përmbajtja me i rendësishëm duket ligji për ‘fara’ sesa ky Ligj. Me këtë projektligj po e shoh një tendecë për t’u supremu normat kushtetuese dhe rendi kushtetues në Kosovë, qoftë kur preket hirarkia qoftë kur preket mandati i këtij delegacioni. Përgjigja jeme se pse ka ardhur ky ligj është se është dasht të normohen pazaret e PSD-së me PAN-in” tha Selmanaj.

Ai formimin e ekipit negociator e quan si “fuqizim” të Thaçit, dhe që është në funksion të tij.

“Presidenti Hashim Thaçi para se të formohej ekipi ka qenë në situatën më të keqe prej ekzistencës së tij në politik. Formimi i ekpit negociator është fuqizimi i presidentit Thaçi” u shpreh deputeti I LDK-së.

“PSD përveç delegacionit të bisedimeve, tash po don me uzurpu edhe komisionin paralamentar. Ky ekip është në funksion të Hashim Thaçit”, tha deputeti Selmanaj.