Ilustrim

Ekzekutohen pagat me koeficient të ri për punëtorët e sektorit publik

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar të gjithë zyrtarët publikë se sot do të disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga.

Ndërsa kanë njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars pasi sipas tyre po vazhdon procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave nga ana e komisioneve.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”- thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt.

MF dhe MPB kanë ftuar të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.