Avokati i Popullit

Këshilli Prokurorial kërkon nga Avokati i Popullit të dërgojë Ligjin për Pagat në Gjykatën Kushtetuese

Këshilli Prokurorial i Kosovës iu ka drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit që të dërgojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

KPK ka konstatuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial.

“KPK konstaton se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial për vetë faktin se kjo çështje është vendosur njëherë me Aktgjykimin numër KO 219/19 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e KPK-s.

KPK ka pasqyruar në këtë kërkesë komentet e vazhdueshme, të cilat janë bërë në lidhje me këtë ligj.

“Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit” – thuhet tutje në njoftim.

Tutje thuhet se KPK përkrah hartimin e një Ligji për pagat në sektorin publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me moscaktimin e vlerës së koeficientit.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për paga është publikuar në Gazetën Zyrtare në fillim të janarit.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se Qeveria do e sjell në Kuvend koeficientin të miratuar në kuadër të Ligjit për Buxhetin dhe me këtë rast do të behet një plotësim ndryshim.

“Koeficientin besoj shumë shpejt Qeveria brenda pak ditëve, nëse jo këtë javë, javën tjetër do e përcjelli në Kuvend të miratuar në kuadër të Projektligjit për buxhetin dhe më këtë rast do të behet një plotësim ndryshim në mënyrë që do të jetë fiks vlera e koeficientit”- ka thënë Kusari – Lila.