Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Koeficientet për krijuesit dhe performuesit e artit sipas Ligjit për pagat

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, krijuesi dhe performuesit e kulturës dhe artit janë të ranguar në tetë klasa. Pozita Drejtues i lartë 1 – Klasa 1, që përfshin drejtorët e përgjithshëm të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore do të kenë koeficientin 13, që është edhe më i larti sa i përket sektorit të kulturës.

Në shtojcën nr.12-të të Ligjit për pagat është dhënë edhe tabela me koeficientet e pagave për krijuesit dhe përformuesit e artit në sektorit publik.

Pozita Drejtues i lartë 2 – Klasa 2, ku janë përfshirë drejtorët artistikë të institucioneve të kulturës do të kenë koeficientin 12.5. Në klasën 3 – pozita Drejtues i lartë 3, që përfshin drejtuesit e lartë të instituteve profesionale dhe shkencore të trashëgimisë kulturore dhe koreografët, korepetitoret, dhe pozitat që kanë funksione të shtrira në të gjitha institucionet e kulturës, do të kenë koeficientin 11.

Pozitat Drejtues i mesëm – Klasa 4, që përfshin Udhëheqësit e njësive brenda institucioneve dhe instituteve, QRTK-ve dhe drejtorët e përgjithshëm të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, kanë koeficientin 9, ndërsa pozita Drejtues i ulët – Klasa 5, që përfshinë udhëheqësit e komponentit themelor strukturor, pjesë e një njësie brenda institucionit publik, kanë koeficientin 8.5.

Në Klasat 6, 7 dhe 8 janë ranguar pozitat për krijuesit dhe performuesit e artit dhe kulturë – Profesional 1, 2 dhe 3.

Koeficienti për pozitën Profesional 1 është caktuar të jetë 8, për Profesional 2 koeficienti është  7.5, ndërsa për Profesional 3 koeficienti është 6.5.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat më 5 janar është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.