Konsorciumi për të Drejtat e Punës shpreh shqetësim për miratimin e Ligjit të Zyrtarëve Publikë dhe atë të Pagave

Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike janë shprehur të shqetësuar në lidhje me miratimin e dy ligjeve në Kuvendin e Kosovës, atë për Zyrtarët Publikë dhe atë Pagave.

Sipas Konsorciumit, Ligji për Pagat është miratuar pa përcaktuar vlerën monetare të koeficientit për të caktuar lartësinë e pagave.

“Ligji për Pagat, i cili ka për qëllim të harmonizojë pagat në sektorin publik, është miratuar pa e përcaktuar vlerën monetare të koeficientit i cili përdoret për të caktuar lartësinë e pagave, duke pamundësuar kështu diskutimet më të thella mbi vlerat e pagave nga grupe të ndryshme shoqërore, si dhe duke cenuar parimet e sigurisë juridike dhe ligjshmërisë”- thuhet në njoftim.

Për Ligjin për Zyrtarët Publikë, Konsorciumi për të Drejtat e Punës thotë se rrezikon të shtojë ndikimin politik në shërbimin civil.

“Për më tepër, Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, në formën në të cilën është miratuar rrezikon të shtojë ndikimin politik në shërbimin civil” – thuhet në komunikatë.

“Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike shprehin shqetësimin që miratimi i këtyre dy ligjeve në këtë formë rrezikon ta kthejë tërë procesin në pikën zero, varësisht nga vlerësimi i kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, nënvizojmë edhe nevojën që ligjet e një rëndësie të tillë të miratohen me dakordim më të gjerë politik në Kuvendin e Kosovës”- thuhet më tej në reagim.

Më tej, Konsorciumi ju ka bërë thirrje Qeverisë dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës të fillojnë dialogun social.

Sipas kumtesës, ata konsiderojnë që dialogu social në mes të dy palëve është zgjidhja më e mirë e mundshme për situatën e krijuar me rastin e grevës.

“Konsorciumi për të Drejtat e Punës është themeluar dhe ka për qëllim që të avokojë për ndryshime në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës duke përfshirë Ligjin e Punës, Ligjin e Inspektoratit të Punës, Ligji i Pagave dhe aktet e tjera nën-ligjore të ndërlidhura me të drejtat e punës dhe punëtorëve në sektorin publik dhe privat, gjithashtu të ndikojë ose lehtësojë dialogun social në mes të sindikatave dhe insitucioneve relevante të cilat janë përgjegjëse për krijimin e politikave dhe kushteve më të mira për punëdhënësit dhe punëmarrësit”- thuhet mes tjerash në njoftim .