Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vlera e koeficientit dyfishon pagat e drejtorëve të institucioneve të kulturës

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik do të jetë 105 euro për vitin 2023.

Pjesë e Ligjit të pagave janë edhe krijuesit dhe performuesit e institucioneve kulturore publike, të cilët edhe do të përfitojnë rritje page me vlerën e re të koeficientit për pagat në sektorin publik.

Vlera e koeficientit do të dyfishojë pagat e drejtorëve të përgjithshëm të institucioneve të kulturës.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit janë të ranguar në tetë klasa (kategori), me koeficiente nga 13 deri në 6.5, për pozita të ndryshme.

Pozita, drejtues i lartë 1, që përfshin drejtorët e përgjithshëm të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, do të ketë koeficientin 13, ose pagë 1,365 euro, gati dyfish më shumë nga paga që kanë pasur deri më tani. Pozita drejtues i lartë 2 me koeficientin 12.5, do të ketë pagë 1.312.5 euro.

Pagat më të vogla për krijuesit dhe performuesit në kulturë dhe art do të jenë për pozitat: Profesional 3 me koeficient 6.5 ose pagë 628.5 euro.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022. Ndërsa vetëm sot është bërë publike vlera e koeficientit për pagat.

Në shtojcën nr.12-të të Ligjit për pagat është dhënë edhe tabela me koeficientët e pagave për krijuesit dhe performuesit e artit në sektorit publik.