Ramush Haradinaj në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj Thirrje për Pjesëmarrje sa më Masive në Votimet në istog

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje banorëve të komunës së Istogut për pjesëmarrje sa më masive në votimet e sotme për kryetar të kësaj komune.

“Vota është garanci për të nesërmen dhe prandaj, pjesëmarrja sa më e madhe në votime i jep forcë zhvillimit të qytetit dhe legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.

“Istogu përmbyllë ciklin e votimeve të zgjedhjeve komunale në Kosovë dhe prandaj, i bëj thirrje secilit qytetar të komunës, me të drejtë vote, ta shfrytëzojë atë për hir të së nesërmes së tij dhe të gjithë komunës”, ka shtuar Haradinaj.

Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut po votojnë sot për kryetarin e tyre.

Në garë janë Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Votimi i sotëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.

Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.

Pas balotazhit LDK ishte ankuar për parregullsi me votat nga jashtë dhe Gjykata Supreme ka vendosur për përsëritjen e balotazhit.