Haradinaj: Shumica e lëndëve janë transferuar nga EULEX-i

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Vincenzo Coppola, drejtorin e EEAS (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian) për planifikim civil dhe aftësi të sigurisë.

Me këtë rast, Haradinaj tha se pothuajse të gjitha lëndët janë transferuar nga EULEX-i.

“Unë e mbështesë angazhimin e ri të EULEX-it në rolin e tij që t’i forcojë institucionet tona. Pothuajse të gjitha lëndët janë transferuar nga EULEX në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket sundimit të Ligjit, ne e kemi rritur buxhetin për Drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë dhe më e rëndësishmja kemi çuar përpara ligjet e nevojshme për të përmirësuar sistemin gjyqësor në vend”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndër tjerash, Haradinaj shtoi se Pakoja e Ligjeve të Anti -korrupsionit është miratuar në Parlament dhe se në rrugë janë edhe ligje të tjera të rëndësishme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për Dhomat e Specializuara  si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin.

Ndërkaq, drejtori Coppola vlerësoi lartë angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të çuar përpara agjendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm.