Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj nënshkruhet në librin e zisë për ushtarët shqiptarë që vdiqën në Letoni

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka hapur librin e zisë në nderim të dy ushtarakëve të rënë në krye të detyrës në misionin e tyre në Letoni.

Në libin e zisë është nënshkruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka shprehur ngushëllime për humbjen e jetës së dy oficerëve shqiptarë në misionin në Riga të Letonisë.

“Mëngjesin e sotëm jam nënshkruar në Librin e Zisë, në Ambasadën e Shqipërisë, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta popullit shqiptar për humbjen e jetës së dy oficerëve shqiptarë në misionin në Riga të Letonisë. Oficerët e ushtrisë shqiptare, nëntetarja Zarife Hasanaj dhe major Klodian Tanushi, nderuan flamurin dhe atdheun. Kosova përjetësisht mirënjohëse!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Derisa ishin në një mision të NATO-s, në Letoni, ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj ka humbur jetën, ndërkohë që Majori Klodian Tanushi dhe Rreshteri Julian Kapaj ishin ende të plagosur.

Hasanaj humbi jetën pasi një minë, të cilën ajo po përpiqej ta çmontonte shpërtheu, duke lënë të plagosur edhe dy kolegë të saj shqiptarë. 

Në bazën ushtarake “Camp Adaz” në Letoni, u mbajt edhe një ceremoni në nderim të nëntetares Zarife Hasanaj, të rënë më 5 maj në krye të detyrës.

Pak ditë më pas, më 10 maj, ka vdeur edhe majori Klodian Tanushi i cili ishte plagosur gjatë asgjësimit të disa eksplozivëve gjatë një misioni në Letoni.