Gjenerali i Forcave të Armatosura në Shqipëri, Bardhyl Kollçaku, Foto: Facebook

Vdes një ushtare shqiptare, plagosen dy të tjerë nga shpërthimi e eksplozivit në Letoni

Deri sa ishin në një mision të NATO-s, në Letoni, ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj ka vdekur ndërsa Major Nikolla Tanushi dhe Rreshteri Julian Kapaj janë plagosur.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen tragjike në Letoni.

“Ngjarje e rëndë ka  ndodhur në mëngjesin e sotëm në Letoni, atje ku Forcat Tona të Armatosura janë përfaqësuar në kuadër të Misionit të NATO-s.  Një pjesë e kontingjentit të asgjësimit të lëndëve eksploziv, gjatë kryerjes së detyrë sot në orën 10:10 janë dëmtuar nga shpërthimi disa municione të pa plasura.  Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave ushtarake në bazën e NATO-s”, ka thënë Gjeneral Kollçaku.

Sipas tij nga shpërthimi ka humbur jetën edhe ushtarakja Zarife Hasanaj ndërsa kanë mbetur të lënduar edhe dy efektivë shqiptarë.

“Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën ushtarakja Zarife Muhamet Hasanaj, të lënduar kanë mbetur Major Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Sipas informacioneve që kemi, majori dhe rreshteri janë në mbikëqyrje maksimale. Për ngjarjen e sotme që nga ndodhia e deri më tani kemi qenë dhe jemi në kontakt me Letoninë”, shtoi gjenerali.