Haradinaj: Ka Kuorum Për ta Shkarkuar Qeverinë

Krerët e tri subjekteve politike, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA i janë bashkuar protestës së 17 shkurtit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj për KALLXO.com tha se kjo protestë simbolizon shkarkimin e Qeverisë dhe kthimin e Republikës së qytetarëve.

“Vendimin e merr qytetari dhe po duket që ka kuorum të mjaftueshëm për ta shkarkuar Qeverinë. Ky është kuorumi që e shkarkon Qeverinë”, tha Haradinaj.

Ai tregoi se në këtë protestë i janë bashkangjitur edhe fëmijët e tij dhe bashkëshortja Anita Haradinaj.

Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se pjesëmarrja e një numri të madh të qytetarëve është referendum ndaj Qeverisë së Kosovës.

“ Numri i qytetarëve në protestën e sotme është referendum i qartë kundër kësaj qeverie dhe kjo qeveri sa më herët duhet të largohet në mënyrë që ti hap rrugë demokracisë dhe drejtësisë në Kosovë”, tha Ymeri për KALLXO.com

E kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj tha se pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve tregon se duhet të shkohet në zgjedhje.

“Populli në mënyrë masive është bashkuar në Prishtinës. Populli është aktiv dhe e ka parë të keqen. Kjo pjesëmarrje masive tregon që ky pushtet e ka humbur legjitimitetin dhe duhet të shkohet në zgjedhje”, deklaroi Limaj për KALLXO.com.