Haradinaj inkurajoi Kryqin e Kuq për punën dhe misionin e tyre

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe përcjellë nga afër aktivitetet e Kryqit të Kuq, duke thënë se roli i tij humanitar dhe vullnetarizmi, janë vlera universale dhe këto duhet mbështetur.

“Qeveria e Kosovës është duke përmirësuar legjislacionin, inkurajon ata në punën dhe misionin e tyre human në shërbim të qytetarëve dhe do të ofrojë bashkëpunim për aktivitetet humanitare të gjitha organizatave”, tha Haradinaj.

Këto deklarata Haradinaj i ka thënë pas takimit që sot kishte me përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja Feride Hyseni.

Hyseni, e ka njoftuar kryeministrin për punët, sfidat dhe sukseset e Kryqit të Kuq të Kosovës, duke thënë se qëllimi kryesor është puna humanitare dhe ofrimi i shërbimeve kualitative humanitare për qytetarët.

Kryeministri i ka përgëzuar përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Kosovës për misionin human që kanë, duke thënë se do ta kenë mbështetjen institucionale për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.