Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit

Gjilani i ‘Jabanxhinjve’ dhe i Mirushës ‘Legjendare’

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes së Gjilanit. Në fund të vitit 2013 ai mori timonin për të drejtuar komunën e Anamoravës pasi që kishte mundur kundër kandidatin e tij Qemajl Mustafa që vinte nga PDK-ja.

Është hera e tretë që Haziri po qeverisë Gjilanin, kësaj radhe në koalicion me AAK-në, Partinë e Drejtësisë dhe Lëvizja Vatra.

Ai ishte kryetar i Gjilanit edhe pas zgjedhjeve lokale të viteve 2000 dhe 2002, por në vitin u ‘zhvendos’ në Prishtinë për të filluar karrierën politike në nivelin qendror, si ministër,

Haziri nuk ka asnjë femër nga kabinetin e tij qeverisë ndërsa në krye të Asamblesë Komunale ka vendosur bashkëpartiaken e tij, Valentina Bunjaku- Rexhepi.

Në zgjedhjet e fundit, Haziri kishte premtuar rregullim të infrastrukturës, trajtim të ujërave të zeza, trajtimin e Lumit Mirusha që kalon nëpër qendër të qytetit, disipline buxhetore, ulje të shpenzimeve komunale.

“Sa i përket premtimeve jemi në gjysmë të rrugës. Në përgjithësi mendoj që për këto dy vite kemi arritur të gjitha objektivat që i kemi paraparë, kemi pas vështirësi serioze dhe kemi gjetur gjendjen më të rënd se që kemi menduar”, ka thënë Haziri gjatë debatit “Jeta në Komunë”.

Ekipi i “Jeta në Komunë” gjatë hulumtimit kishte gjetur se shumica e tenderëve për infrastrukturë dhe mirëmbajtje të rrugëve, kryetari Haziri ua kishte dhënë mbështetësve të tij të fushatës zgjedhore.

Bëhet fjalë për dy kompanitë e vëllezërve Zuka të cilët gjatë vitit 2014- 2015 kishin marr 18 tenderë në vlerë prej 2 milion e 533 mijë euro.

Gjatë debatit, Haziri ka pranuar se kishte dhënë këto tenderë për vëllezërit Muhadin dhe Florim Zuka.

Afërsia e kryetarit Haziri me vëllezërit Zuka është vërejtur gjatë fushatës zgjedhor të vitit 2013, ku njëri nga vëllezërit, Muahdini, kishte qenë ndjekës dhe adhurues i kryetarit. Ai ka të publikuar foto me kryetarin Haziri në ambiente festive dhe në tubime zgjedhore.

“Nuk është e domosdoshme por nuk është as ilegale mbështetja që e kam nga komuniteti i biznesit në Komunën e Gjilanit. Është proporcionale me numrin e qytetarëve në Gjilan”, kishte deklaruar Haziri pasi që ishte pyetur për dhënien e këtyre tenderëve për vëllezërit Zuka.

Por jo vetëm këta vëllezër janë përfitues të tenderëve nga kryetari Haziri. Edhe Florim Ajeti njëri nga mbështetësit e fushatës së kryetarit Haziri kishte fituar tender në vlerë prej 44 mijë e 879 euro me kompaninë e tij “Garage Benz”.

Në profilin e Ajetit shihet se si ai gjatë vitit 2013 kishte mbështetur Hazirin në fushatë zgjedhore.

Për këto veprime të Hazirit kishte dhënë kritika asamblisti i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti.

“Për këto dy vite kompanitë jashtë Gjilanit kanë marr tenderë, 36 tenderë jashtë Gjilanit në vlerë prej 2 milion e 100 mijë. Ka dhënë tender për jabanxhi”, ka thënë Rashiti.

Në fakt njëra nga mototo kryesore të Hazirit gjatë fushatës gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2013 ishte se Gjilani po qeveriset nga “jabanxhinjtë”.

Gjatë fushatës zgjedhore, Lutfi Haziri kishte premtuar edhe trajtimin e ujarëve të zeza përshirë këtu edhe rregullimin e shtratit të Lumit Mirusha i cili kalon nëpër qendrën e qytetit të Gjilanit.

Nga vërshimet e shiut, ky lum shpesh herë del nga shtrati me vërshon qendrën e qytetit.

“Tretmani i ujërave të zeza dhe kanalizimeve tashmë ka marr dritën e gjelbër nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Austrisë në një financim përmes një programi të veçantë që Komuna e Gjilanit e ka përfituar. Ne kemi konkurruar me 9 milion euro për trajtimin e ujërave të zeza dhe kanalizimit”, tha Haziri.

Ai tha se rregullimi i Lumit Mirusha dhe Lumit Stanishor duke përfshirë shtratin do të përfundojë në masë të madhe gjatë vitit 2016.

Por asamblisti i Vetëvendosjes, Fehmi Sylejmani nuk beson në këtë premtim të kryetarit Haziri.

“Ne si Vetëvendosje për çështjen e Lumit Mirusha madje e kemi quajtur si Mirusha Legjendare apo është bërë përrallë. Janë terrorizuar më së shumti banorët përreth këtij lumi. Edhe pushteti i tanishëm edhe ai i kaluari i kanë fituar votat duke u thirr se do të jetë prioritet lumi Mirusha”, tha Sylejmani.

Njëri nga premtimet e kryetarit të Gjilanit gjatë fushatës zgjedhore ishte edhe ulja e shpenzimeve komunale.

E dy vite pas qeverisjes së Gjilanit, Haziri kritikoi ish kryetarin Qemajl Mustafa se ka shpenzuar parën publike ndërsa tregoi se komuna e Gjilanit akoma paguan borxhet e ish qeverisjes së LDK-së.

“Vetëm pare kesh të faturave që i kemi gjetur deri tash i kemi paguar mbi 2 milionë e sa mijë euro, 170 mijë euro kanë ushqim rekord. Është pak më shumë se Bllombergu në Nju Jork që ka shpenzuar për reprezentacion”, ka deklaruar Haziri.

Kritika për ish qeverisjen e Qemajl Mustafës pati edhe drejtori për Financa në Komunën e Gjilanit, Zijadin Maliqi.

Dreka, darka në vitin 2014 janë paguar 44 mijë euro nga pushteti i kaluar ndërsa i kemi edhe 80 mijë euro në borxhe që shkojnë me procedura gjyqësore apo qysh janë borxhe të ish pushtetit”, tha Maliqi.

Por emisioni Jeta në Komunë gjatë hulumtimit të tij ka gjetur edhe shpenzimet e kryetarit aktual Lutfi Haziri. Në dokumentet mbi shpenzimet komunale del se gjatë vitit 2015, Lutfi Haziri dhe kabineti i tij ka shpenzuar mbi 46 mijë euro.

Gjatë debatit, i pari i Gjilanit u pyet se përse në këto shpenzime figuron që brenda muajit janar5 2015 ka paguar 1 mijë euro për roming Vala.

“Unë ju sfidoj të shkojmë dhe t’i shohim faturat, emrin mbiemrin dhe numrin e telefonit. Nëse është telefoni im i cili është publik në ato fatura unë jam përgjegjësi”, tha Haziri duke treguar se ai ka pako mujore prej 20 euro për telefon.

Debati u bë më i “nxehtë” kur filluan kritika mes kryetarit aktual Lutfi Haziri dhe asamblistëve të PDK-së mbi qeverisjen e Gjilanit.

“Ju jeni njerëz që të vdekurin e vrani natën dhe e qitni në gardhin e huaj dhe doni me ja lan tjetrit kjo nuk qëndron, nuk është kulturë e jona”, iu drejtua Haziri asamblistëve të PDK-së.

E si kundërpërgjigje, asamblisti i PDK-së, Bujar Nevzati ia përmendi kryetarit Haziri punësimet e familjarëve.

“Le të na tregon kryetari qysh e ka pru mikun e vet, e ka pasur të punësuar në Fabrikën e Radiatorëve ndërsa tash e ka dërguar në Hidromoravë të Kamenicës, kryesuesja -vëllain, drejtori i Prokurimi- djalin e vet në shkollë, djalin e vëllait në inspeksion, kunatën në bibliotekë, drejtori i Financave- djalin , drejtori i Arsimit -djalin, drejtori i QKMF-së- djalin e vëllait, ministri i Shëndetësisë e ka dërguar vëllain dy muaj dhe e ka kthyer e ka bërë shef të Autoparkut me një punëtor, drejtori i ujësjellësit- bashkëshorten”, tha Nevzati.

Por gjithë këto punësim nuk i pranoi kryetari Haziri mirëpo dikush nga LDK-ja nuk i mohoi ato.

“Ka të punësuar. E drejta në punësim është e drejtë me të gjitha konventat”, tha Abdyl Aliu asamblisti i LDK-së në Gjilan.

Pas shumë kritikave mbi punësime, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku – Rexhepi ia përmendi asamblistit të PDK-së punësimin e dhëndri të tij.

“Sa i përket punësimeve në kritere të barabarta dhe në kushte të barabarta patjetër që do të shkojnë anëtarët e LDK-së, publikisht po e them këtë”, tha Bunjaku- Rexhepi.

Kritika ndaj qeverisjes së Hazirit pati edhe asamblisti nga NISMA, Bajram Hasani.

“Ky (Lutfi Haziri) është duke e instaluar infrastrukturën e nëntokës për shkak se po bashkë qeverisin me nëntokën në nivelin qendror dhe po duan ta shtrijnë atë”, tha Hasani.

I pari i Gjilanit premtoi se në dy vitet e ardhshme të mbetura do të punojë në programe të mëdha për Anamoravën.

“Vazhdimësi të programeve që kemi realizuar. Programi më i madh që Gjilanit do ti ndodh gjatë këtyre dy viteve është tretmani i ujërave të zeza dhe kanalizimeve një program i integruar i fshatrave dhe qytetit. Faza e dytë është impianti që duhet të përfundohet pavarësisht a jam unë kandidat në zgjedhjet e ardhshme apo jo”, tha Haziri.