Foto: Kallxo.com

Gjakovë: Pranon fajësinë për drogë, gjykata e refuzon

Veton Bakija, i akuzuar për posedim të narkotikëve, e ka pranuar fajësinë të enjten në Gjykatën e Gjakovës, por kjo nuk i bëri përshtypje gjykatësit të rastit.

Bakija, në këtë rast, është duke u gjykuar bashkë me Faton Osmanajn, i cili në seancën e sotme deklaroi se ndihet i pafajshëm.

Osmanaj tha se është duke u shëruar për varësinë qe ka ndaj narkotikëve.

“S’kemi pas qëllim të shitjes, ne i kemi ndihmu njëri-tjetrit disa herë. Unë jam konsumues por jo shpërndarës”, tha Osmanaj.

Ai shtoi se policia i di personat kush po shet narkotikë.

“Ata persona na kanë marrë në qafë”, tha Osmanaj.

Mirëpo prokurori Ali Uka i propozoi gjykatës që mos ta pranojë fajësinë e të akuzuarit Veton Bakija me arsyetimin se rasti është i ndërlidhur mes tyre.

Ndërsa gjyqtari i rastit Shaqir Zika, duke refuzuar pranimin e fajësisë së Veton Bakijës, caktoi datën 5 gusht për kundërshtimin e provave të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Faton Osmanaj në shkurt të këtij viti në afërsi të shkollës “Yll Morina” në Gjakovë, ishte zënë nga zyrtarët policorë duke i dhënë Veton Bakijes 0.46 gram “heroinë” në vlerë prej 10 euro.

Aktakuza thotë se gjatë bastisjes, Policia i ka gjetur Veton Bakijës sasi të njëjtë të heroinës në xhepin e djathtë të pantallonave.

Aktakuza thotë se këtë sasi narkotiku ai e kishte blerë nga Faton Osmanaj.