Naser Kelmendi. Foto: Kallxo.com
Avokati: Lënda e Naser Kelmendit vjetërsohet në korrik të këtij viti
Mirëpo, edhe nëse ky dënim do të marrë formën e prerë, të akuzuarit nuk i bie të kalojë thuajse as edhe një ditë në burg.
Kjo për shkak se në kohëzgjatjen e dënimit do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Naser Kelmendi ka kaluar 4 vite, 7 muaj e 8 ditë në qendrën e paraburgimit.
Kohë kjo e cila thuajse tërësisht e konsumon dënimin e shqiptuar.
Për më tepër, në rast se ky dënim nuk merr formën e prerë deri në korrik të këtij viti, lënda do të vjetërsohet, që nënkupton se Kelmendi nuk mund të ndiqet më penalisht për veprën e cila i vihet në barrë.
Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se vepra supozohet të jetë kryer në vitin 2003, që i bie se në vitin 2023 do të kalojë dyfishi i dënimit maksimal të paraparë me ligjin kompetent.
Në një prononcim për KALLXO.com, mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Besnik Berisha, vendimin e Gjykatës e ka quajtur arbitrar dhe të kundërligjshëm. Sipas tij, ky vendim është marrë vetëm për t’i ikur presionit ndërkombëtar.
“Frika që e kam unë është se Gjykata qëllimisht ka me e çu në parashkrim këtë çështje duke e vonuar aktgjykimin” – u shpreh ai.
Berisha theksoi se mbrojtja nuk e do parashkrimin e kësaj lënde dhe se do të sfidojnë këtë vendim në gjykatë të shkallës së dytë.
Lidhur me këtë, KALLXO.com u ka dërguar pyetje edhe zëdhënëses së Gjykatës, edhe zëdhënësit të Prokurorisë Speciale, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të enjten është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.
Kelmendi është dënuar me burgim prej 4 vite e 8 muajsh, koha e kaluar në paraburgim do t`i llogaritet në dënim.
Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues në përbërje të Suzana Çerkini – kryetare dhe anëtarët Violeta Namani dhe Musa Konxheli.