Foto: KALLXO.com

Gjykimi për 400 kg drogë, të akuzuarit ndihen të pafajshëm, Gjykata nuk i liron nga paraburgimi

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e avokatëve që t’i lirojë nga paraburgimi të mbrojturit e tyre, të akuzuar për 400 kilogramë drogë që është gjetur në një biznes në Lipjan.

Në seancën e sotme, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe  Fehmi Bytyçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Trupi gjykues, i përbërë nga Musa Konxheli kryesues, Arben Hoti dhe Valbonë Selimaj – anëtarë, refuzoi kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve për ndërprerjen e paraburgimit.

Mbi Izet Sheqirin dhe Faton Vrajollin rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen dhe organizim të grupit kriminal dhe shitblerje të narkotikëve, kurse armëmbajtja pa leje është vepër me të cilën ngarkohet vetëm Izet Shaqiri.

Kurse, të akuzuarit Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi akuzohen nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe për shitjblerje të narkotikëve.

I akuzuari Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC Food” Sh.p.k., ku është gjetur droga, pranoi para trupit gjykues vetëm pikën e aktakuzës për armëmbajtje pa leje.

Kurse, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat për organizim të grupit kriminal dhe ato që ndërlidhen me narkotikë.

Gjatë seancës së sotme ka pasur tensione mes avokatit të Izet Sheqirit, Besnik Berisha dhe avokatit të Fehmi Bytyçit, Ramë Dreshaj.

Ky i fundit propozoi trupit gjykues që t’i tërhiqej vërejtja avokatit Berisha ngase, sipas tij, gjatë fjalës hyrëse po e inkriminonte klientin e tij.

Gjyqtari Konxheli kërkoi nga avokati Berisha që të fokusohej vetëm në klientin e tij, ndonëse shtoi se është e vështirë përderisa kemi të bëjmë me akuzat për krim të organizuar.

Në fjalën hyrëse avokati Besnik Berisha deklaroi se është i gatshëm të garantojë me çfarëdo garancie që klienti i tij nuk rrezikon t’i shmanget gjykatës dhe shtoi se klienti i tij është i përgjegjshëm dhe i kupton detyrimet ndaj gjykatës dhe propozoi masë më të butë ndaj tij.

Propozimit të tij iu bashkëngjiten edhe avokatët e tjerë.

Por, ky propozim u refuzua nga Gjykata, e cila vlerësoi se nuk kanë ndryshuar rrethanat për të cilat është caktuar paraburgimi.

Aktakuza ndaj të pandehurve është ngritur më 14 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas kësaj aktakuze, të akuzuarit me qëllim, dhe duke qenë në dijeni kanë vepruar secili në forma të ndryshme në aktivitet kriminal.

Ata akuzohen se përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur substance narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17 maj të vitit 2021 në sasi prej 400 kilogramësh.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie.

Seancat e ardhshme pritet të mbahen më 18 dhe 20 korrik, dhe 11, 12, dhe 13 shtator.