Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për 113 kg heroinë

Seanca e cila ishte e paraparë të mbahej sot në rastin e të akuzuarve për 113 kg heroinë nuk është mbajtur.

Dështimi i seancës erdhi pasi që në seancë nuk ishte paraqitur interpreti i gjuhës turke.

Gjithashtu i pranishëm në seancë nuk ishte as i akuzuari Alban Gashi.

Sipas mbrojtëses së Gashit, ai ishte rrugës për në Gjykatë por nuk ishte i informuar për punimet që po zhvilloheshin në rrugën “Nekibe Kelmendi”, rrugë që çon te Gjykata e Prishtinës.

Kujtojmë që sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe i strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë.

Drogën fillimisht e kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhemail Shala dhe Iskender Sale akuzohen edhe për veprën penale – legalizim i përmbajtjes së rreme, kjo për arsye se pasi të njëjtëve u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, Alban Gashi akuzohet nga Prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror u ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke u bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale – dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe -falsifikim i dokumentit.

Kurse Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale  – mashtrim, kjo ngase me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto-sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtar i këtij grupi, dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto-sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.