Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi maratonik, 10 vjet procedura për 18 gramë marihuanë

Pas afër 10 vitesh, një mërgimtar nga Gjermania është obliguar të përballet me një dosje për drogë, të cilën e kishte të hapur qysh në vitin 2012.

Mërgimtari kishte jetuar për një kohë në Gjermani dhe kur u kthye në Kosovë Gjykata e Prishtinës iu vu pas për të kërkuar llogari për 18 gramë marihuanë që ishin gjetur atij.

Sipas dosjes së Gjykatës, K.B. u dënua me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për ngjarjen e vitit 2012.

Atëkohë gjatë kontrollimit të veturës “Opel Frontera”, Policia e Kosovës i kishte gjetur të miturit 18.37 gramë marihuanë.

Ndonëse organeve gjyqësore iu desh një dekadë për t’i dhënë epilog këtij rasti, trupi gjykues zhvilloi shpejt procedurën deri te arritja e aktgjykimit me anë të të cilit e dënoi K.B., pasi i njëjti e pranoi fajësinë dhe u deklarua edhe i penduar, duke ia mundësuar Gjykatës që të mos merret fare me administrimin e provave.

Gjykata në aktgjykimin e saj ka dhënë edhe një konstatim interesant: Varësia ndaj substancave narkotike kohëve të fundit po shkakton shqetësim në familje dhe në rrethin shoqëror.