Gjakovarët Dyshohen për Kontrabandim të Diamanteve

Tre burrave që dyshohen se kontrabanduan diamantë dhe një tjetër që dyshohet  për dhënie të huasë me fajde u është caktuar masa e paraburgimit.

Gjykata Themelore e Prizrenit u ka vendosur masën e sigurisë prej një muaji paraburgim, personave me inicialet L.K, F.H, N.H dhe A.A.

L.K dhe N.H që  vijnë nga Komuna e Gjakovës dhe F.H nga ajo e Rahovecit, sipas pretendimeve të prokurorisë nga viti 2016 kanë shmangur kontrollin doganor duke eksportuar dhe importuar  pa leje, gurë të çmuar apo diamantë.

Në anën tjetër, A.A nga Prishtina dyshohet se  duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të një personi me inicialet L.L ose paaftësinë për të gjykuar jep para me fajde, me kamatë në lartësi prej 10 përqind dhe si garanci nga i dëmtuari merr një automjet ”Golf 6 “ dhe një “Eskavator”.

Të katër të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri më datën 28 janar 2017.