Gjykata vendos për të dyshuarit lidhur me aksidentin fatal pas garës automobilistike

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të dyshuarve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, nga i cili vdiqën tre persona. Kurse për të dyshuarin Irfan Hoti, gjykata ia ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.

Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023 ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S. të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

Gjykata e Prizrenit më 15.03.2024 konfirmoi për KALLXO.com se të dyshuarit Arlind Syla është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.04.2024, kurse për të dyshuarin Irfan Hoti është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor deri më datë 17.04.2024.

Prokuroria e Prizrenit i ka kërkuar gjykatës që të dyshuarit Irfan Hoti t’i zëvendësohet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor për shkak të gjendjes shëndetësore, duke shtuar se kushtet në qendër të paraburgimit i kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen.

Vendimin e ka marrë gjyqtarja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.

Gjykata në njoftimin e saj ka theksuar se  ka vlerësuar edhe masa tjera alternative për sigurimin e prezencës së pandehurve dhe mbarëvajtjes së procedurës penale në këtë fazë, mirëpo ka ardhur në përfundim se “në rastin konkret, vazhdimi i paraburgimit dhe masës së paraqitjes në stacion policor, janë të domosdoshme dhe të arsyeshme.”

Si ka ndodhur rasti sipas prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.

Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.