Arkiv - Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com

Fjalët e Enver Sekiraqës Para Gjykatës

I akuzuari për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës, Enver Sekiraqa doli sot para Gjykatës së Apelit gjatë të cilës u diskutua për masën e sigurisë ndaj tij pas dyshimeve se ai shkeli urdhrin e Gjykatës për arrest shtëpiak.

Të enjten, Enver Sekiraqës iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Por, Sekiraqa nuk qëndroi në shtëpi më shumë se 30 orë, pasi që ai u mor dhe u dërgua prapa grilave në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Kjo nën dyshimin se ai theu urdhrin e Gjykatës për arrestin shtëpiak.

Disa orë pas lirimit të tij, Enver Sekiraqën e kishin vizituar dy persona që nuk janë të familjes së tij.

http://kallxo.com/enver-sekiraqa-kthehet-ne-burgun-e-dyzit/

Në seancën e sotme për caktimin e masës së sigurisë, i pandehuri e pranoi se nuk e ka lexuar urdhrin e Gjykatës dhe se nuk ka pasur kohë, sepse porsa ka hyrë në shtëpi ka gjetur mysafir aty.

“Edhe pse nuk e kam bërë me qëllim e pranoj fajësinë“, tha Sekiraqa para trupit gjykues.

Gjykata, ndërkohë, njoftoi se nuk do të vendos sot për masën e sigurisë në rastin e të akuzuarit për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Për këtë rast, Enver Sekiraqa është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 37 vjet burgim.