Takimi i Vokrrit me Petkoviq, Foto: Federata e Futbollit të Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës e gatshme të integrojë talentët e rinj serbë

Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të punuar në integrimin e klubeve të komunitetit serb në ligat e saj, por thotë se presioni politik nga Beogradi është duke i penguar serbët e rinj nga aktivitetet zyrtare të futbollit.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha për BIRN se presioni politik po i pengon serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë sport popullor.

“Ata janë nën presion nga Beogradi për të mos marrë pjesë në aktivitetet tona. Kemi dy skuadra [serbe] në ligat më të ulëta, por ata u tërhoqën nga garat pas presionit “, tha Salihu.

Ai shtoi se shoqata e futbollit kosovar “nuk është e detyruar” të integrojë klubet serbe nën ombrellën e saj. “Por ne jemi të gatshëm ta bëjmë atë si një akt moral”, tha Salihu.

Tre ditë më parë, një takim që ka thyer akullin u zhvillua në Prishtinë, kur Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, u takua me Dragan Petkoviqin, kryetarin e Komunës së Parteshit, një komunë e vogël e banuar kryesisht me serbë në lindje të Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga FFK-ja u tha se takimi u përqendrua në mënyrat se si të përfshihen më shumë të rinj serbë në futbollin e Kosovës.

“Deri tani, përveç klubeve të futbollit serb, ne kemi shumë futbollistë serbë dhe një arbitër të integruar në futbollin e Kosovës”, citohet të ketë thënë Vokrri.

“Unë besoj se tani kemi një klimë më të mirë mirëkuptimi dhe kushte më të mira për më shumë klube futbolli për komunitetin serb dhe federata jonë do të sigurojë mbështetje”, shtoi ai.

FFK citoi Petkoviqin të ketë thënë se komuna e tij do të punojë për të krijuar një klub futbolli me serbë të rinj të talentuar.

“Është fat që një figurë e njohur [Vokrri] në futbollin tonë, jo vetëm në Kosovë por edhe gjerësisht në rajon, po udhëheq Federatën e Futbollit të Kosovës dhe na jep shpresë që të rinjtë në komunitetin tonë të kenë besim në trajtimin e tyre të barabartë me të tjerët [talentet]”, citohet të ketë thënë Petkoviq.

Ai i referohej sfondit të Vokrrit si futbollist profesionist që kaloi disa vjet karrierë në mes të viteve 1980 me klubin e futbollit të Beogradit, Partizanin.

Në maj të vitit 2016, kongresi vjetor i UEFA-s votoi për të pranuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim, duke i hapur rrugë ekipeve nga Kosova për të hyrë në garat e klubeve europiane.

UEFA vendosi pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Serbia, e cila kundërshton çdo njohje të shtetësisë së Kosovës.

Deri atëherë, skuadrat e Kosovës nuk ishin në gjendje të konkurronin ndërkombëtarisht, edhe pse dy vjet më parë, FIFA ra dakord të lejojë ekipin kombëtar të luajë të ashtuquajturat miqësore me vendet e tjera nën kushte të veçanta.

Në korrik të këtij viti, Trepça 89, një ekip nga qyteti i Mitrovicës, ishte ekipi i parë i Kosovës që ka provuar shanset e tij për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.