(Pa)Mundësitë e OJQ-ve për të ndërtuar raste strategjike si ai i Diana Kastratit

Kosova u trondit në fund të muajit nëntor pas lajmit se një grua u vra, në mesin e të dyshuarve është bashkëshorti i saj, e lista e grave që u vranë është e gjatë. Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra dhe qindra, për të mos thënë mijëra të tjera janë viktima të dhunës psikike dhe fizike.

Përballë shifrave alarmante, organizatat joqeveritare në vend, me gjitha kapacitetet që kanë në dispozicion po përfaqësojnë viktimat.

Rrjeti i Grave të Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se OJQ-të që kanë për qëllim të këshillojnë dhe përfaqësojnë viktimat në rastet e shkeljeve të drejtave të tyre nga institucionet mund ta kenë këtë kapacitet dhe besohet se në disa raste kanë ndikuar në këto ngjarje të rënda.

Por, sipas Adelina Berisha nga RrGK, problemi qëndron se pa marrë parasysh që janë bërë këto praktika, ato nuk zbatohen nga gjyqtarët në gjykata të rajoneve të ndryshme.

Në Kosovë, ndonëse vlerësohet se nuk ndodhë aq shpesh sa duhet, OJQ-të ndikojnë në vendimet për të akuzuarit që vrasin gratë.

Kapacitetet që kanë këto OJQ po vlerësohet të jenë të ulëta, e kjo për shkak të financimit që në të shumtën e rasteve del të mos jetë i mjaftueshëm.

Vrasja e një gruaje, Diana Kastratit në 2011 flitet ende. E kjo pasi familja e Dianës po vazhdon të ‘luftoj’ shtetin për neglizhencën që u konstatua se pati në këtë rast.

Rast strategjik u ndërtua për këtë vrasje. Flaka Fazlija nga Zyra ligjore e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN tregon se veprimet që u ndërmorën asokohe sollën edhe ndryshim të dispozitave ligjore, të cilat tha se tashmë e detyrojnë shtetin e Kosovës për kompensim financiar edhe në rastet e shkaktimit të demit jo-material.

Fazlija vlerësoi se deri në rastin tragjik të vrasjes së Dianës, organet e rendit i kanë trajtuar me më pak prioritet e i kanë pranuar si shumë normale rastet e dhunës në familje.

“Asokohe ka qenë një periudhe kur në mënyrë dukshëm më të hapur se tani zyrtari policor tek i cili viktima e raportonte dhunën gjinore nga bashkëshorti të drejtohej me fjalët ‘hajt se të ka rreh sepse të don’” – tha zyrtarja ligjore duke shtuar se mund të thuhet se në shumë raste pa ndonjë filtër ndaj viktimave është treguar mos-respekt dhe mos-seriozitet nga ana e institucioneve të sigurisë.

Ajo shtoi se këtu ndikonte edhe stigma shoqërore, që sipas saj ka qenë akoma më e lartë nga ç’është tani.

Sipas saj këto rrethana i kanë kontribuar njëra-tjetrës për të krijuar një mjedis ku viktima grua është ndjerë e pa sigurt dhe pabesim karshi autoriteteve për të raportuar dhunën.

Fazlija tha se raportimi që Diana Kastrati kishte bërë para se të vritej, ka qenë elementi i parë që avokimi i këtij rasti ka nxjerrë në pah dobësinë shtetërore në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Pasi kishte ndodhë vrasja e Dianës, Fazlija thotë se ishte kuptuar se ligji i aplikueshëm në Kosovë në atë kohe nuk parashihte kompensim financiar nga paratë publike kur dëmi ishte jo-material, pra për dhimbjen shpirtërore që e shkakton vdekja e viktimës.

“Prej rastit të Dianës ka pasur edhe ndryshime brenda Policisë sa i përket pranimit të rasteve apo raportimit të dhunës, ku janë vendosur policë të veçantë dhe të trajnuar për to. Ndërtimi i një rasti të tillë siç është bërë nga CLARD Kosova, patjetër që ka ndikuar në informimin publik lidhur me këtë fenomen, por edhe edukimin e qytetareve për pasojat e tij” – tha Fazlija.

Ilustrim – Protestueset/it në Prishtinë shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e Diana Kastratit, 27 vjeçaren e vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2011 pasi një gjyqtar kishte refuzuar kërkesën për urdhër mbrojtje. Fotografia nga: Amy di Giacomo

Tentimi i OJQ-ve për të ndërtuar strategji të njëjta si ai i Diana Kastratit

Ndërtimi i rasteve strategjike gjyqësore si rasti i Diana Kastratit vlerësohet të jetë tejet i rëndësishëm.

Kjo pasi njohësit e kësaj fushe thonë se zakonisht ndërtimi i këtyre rasteve bëhet për shkak se të njëjtat kanë karakteristika apo elemente të veprës penale të cilat janë të inkriminuara në përgjithësi.

Flaka Fazlija nga BIRN thotë se shoqëria ka interes t’i trajtojë raste të tilla, por për këto raste ajo shpjegon se mungon vetëdija qytetare dhe një praktikë e mirëfilltë e trajtimit adekuat nga ana e institucioneve shtetërore.

Fazlija shton se kapacitetet që kanë OJQ-të për të ndërtuar raste të tilla strategjike janë të kufizuara, duke përmendur disa sfida me të cilat këto organizata përballen.

Ajo tregon se në vend ka pas OJQ që merren me ndihmë juridike falas, e që sipas saj akoma më pak janë ato që merren thellësisht me trajtimin e raste të dhunës e vrasjes ndaj grave.

“Ka pak organizata që e shfrytëzojnë të drejtën për përfaqësim të viktimave në gjykatë”- thotë zyrtarja ligjore e BIRN, teksa shton se në të shumtën e rasteve OJQ-të angazhojnë avokatë jashtë organizatës.

Adelina Berisha përmend disa prej rasteve ku gratë kanë qenë viktima, e për të cilat Rrjetit të Grave të Kosovës i është dashur të ndërhyjë për të ndikuar në vendimet për dënim të të akuzuarve.

Berisha tregon se ka situata të ndryshme ku janë detyruar që të angazhojnë avokatë për të kthyer në ri-gjykim, dhe jo vetëm, raste ku nuk janë dhënë dënime meritore ndaj të akuzuarve.

Avokatët e këtij Rrjeti të Grave arritën që të dëshmojnë fakte se dënimi që u ishte dhënë kryesve të veprave do të duhej të ishte më i lartë se aq.

E nga këto fakte që iu dëshmuan organeve kompetente, qëllimi që kishte RrGK u arrit.

“Në vitin 2017 pasi vrau të ndjerën Z. B., vrasësi Nebi Berisha u dënua me vetëm 12 vjet burgim. Pas ndërhyrjes së RrGK përmes avokates Fehmije Gashi, ky dënim u rrit në 17.5 vjet” – tha Berisha teksa shtoi se në këtë rast avokatja e RrGK arriti ta rrisë dënimin pasi që në shkallën e parë gjykata nuk kishte marrë për bazë rrethanat rënduese dhe sjelljet e mëparshme të të akuzuarit.

Përpos këtij rasti, Berisha përmend edhe të dytin, ku rasti që kishte mbyllur gjykata, vetëm pas interesimit të RrGK-së ishte kthyer në rigjykim e i akuzuari kishte marr dënim.

“Rasti i dytë është rasti i A. M. e cila kishte humbur jetën si pasojë e gjakderdhjes pas marrëdhënies seksuale, e për të cilën bashkëshorti i saj Hilmi Zena, nuk e kishte dërguar për shërim. Ky rast ishte mbyllur nga gjykata por pas angazhimit të avokates Fehmije Gashi nga RrGK, rasti u kthye në Apel për rigjykim, ku i njëjti u dënua me 2 vite burgim” – thotë ajo.

Rrjeti i Grave të Kosovës në disa raste bashkëpunon edhe me organizata të tjera, e i njëjtë është rasti i S. M., ku vrasësi i saj më pas bëri vetëvrasje.

Berisha tregon se në këtë ngjarje të rëndë, RrGK  pati kërkuar nga Këshilli Prokuroria i Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit që të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast.

Ajo tregoi se ky grup punues ishte kërkuar që të kishte qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi.

Qëllimi i kësaj sipas Berishës ishte që këto raste të mos përsëriten.

Ajo tha se në disa raste duhet të formohet një grup punues me ekspertë të fushës për të shqyrtuar Procedurat Standarde të Veprimit në secilën Prokurori Themelore lidhur me procedurën e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje.

Anëtarja e RrGK-së tregoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës më pas kishte marrë vendim lidhur me kërkesën e dorëzuar nga vajza e të ndjerës Sebahate Morina, përmes të cilit tha se ishte konstatuar shkelja e të drejtës për jetën, e garantuar me Kushtetutë.

“Kjo kërkesë ishte hartuar nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Morina dhe ishte dorëzuar nga vajza e saj Velerda Sopi” – shtoi ajo.

Në anën tjetër Fazlija nga BIRN thotë se barrierë për OJQ-të që të ndërtojnë strategji si në rastin e Dianës është edhe aspekti financiar, por ajo thotë se sfiduese mbetet edhe ngritja e kapaciteteve profesionale njerëzore, pra njerëz që kanë përgatitje dhe eksperiencë në trajtimin e këtyre rasteve e të cilët punojnë në organizata të tilla.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ende nuk ka arritur të garantojë një proces të licencimit të organizatave që ofrojnë ndihmën juridike falas. Në mungesë të kësaj Agjencia nuk ka të planifikuar as përkrahje financiare dhe mbështetje tjetër për OJQ-të që ofrojnë ndihmë juridike falas” – tha ajo.

E njëjta shtoi se në mbarë vendin janë më pak se 10 organizata që ofrojnë ndihmë juridike falas ndërsa ngritja e kapaciteteve të tyre sfidohet siç u tha nga shume faktorë.

Teksa tregoi se kapacitetet e OJQ-ve në ofrimin e ndihmës nuk janë rritur në vitet e fundit, Fazlija tha se ato kryesisht përkrahen nga fondet e donatorëve për shkak se vendi nuk ka një skemë të qëndrueshme të financimit të tyre.

Madje, sipas saj limitues në punën e OJQ-ve në dhënien e ndihmës juridike falas mbetet edhe mungesa e legjislacionit që do të krijonte partneritet në mes tyre dhe ANJF-së.

Shteti përball vrasjes së Diana Kastratit

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë, në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj.

Me këtë të fundit ajo bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet, e ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar  këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Me iniciativën e prindërve të së ndjerës, Gëzim e Makfire Kastrati më 17 prill 2012, avokati Korab Sejdiu, Gjykatës Kushtetuese ia parashtroi kërkesën që kërkonte të deklarojë se dështimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, për të vepruar sipas kërkesës së Dianës, kishte shkelur të drejtat e saj në bazë të Kushtetutës.

Pas trajtimit të rastit Gjykata Kushtetuese, gjeti se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së.

Më tej, Gjykata kishte konstatuar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë në kërkesën e së ndjerës Diana Kastrati, për lëshimin e urdhërit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike.

Pas vendimit të Kushtetueses, Gëzim e Makfire Kastrati, në nëntor të 2013-ës i paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore të Prishtinës si dhe Republikën e Kosovës nga të cilët kërkuan kompensim të dëmit jo material,  të cilin e kanë përjetuar me rastin e vrasjes së vajzës së tyre Diana Kastrati.

Në padinë për kompensim të dëmit thuhej se paditësit/prindërit e Dianës kanë pësuar vuajtje të thellë shpirtërore, frikë dhe pasiguri, si dhe të njëjtit vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe vuajtje të thellë nga dështimi i autoriteteve publike, përkatësisht të paditurve për të mbrojtur të drejtën në jetë të bijës së tyre dhe të drejtave të paditësve si palë e dëmtuar.

5 vjet, 7 muaj e 4 ditë pas ushtrimit të padisë, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që aprovoj pjesërisht padinë e prindërve të Dianës, të përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK, përkatësisht avokatet Artan Qerkini e Korab Sejdiu.

“Gjykata duke vepruar në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës dhe në frymë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se përgjegjëse për të drejtat e shkelura e të cilat janë të kategorisë Kushtetuese të cilat janë faktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është përgjegjës Republika e Kosovës” – thuhej në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.

Ndonëse prindërit e Dianës kërkuan kompensim në vlerë prej 600 mijë eurove, pas vlerësimit të të gjitha provave të administruara dhe fakteve të vërtetuara, Gjykatës së Prizrenit i rezultoi se kërkesëpadia e paditësve përtej shumës së aprovuar prej 95 mijë eurove është kërkesë e pa bazë, pasi që Gjykata pas çmuarjes së lirë vlerësoi se shumat e gjykuara janë të përshtatshme në përputhje me standardin jetësor në Republikën e Kosovës dhe praktikën gjyqësore.

Po ashtu Gjykata me anë të këtij vendimi e ka obliguar Republikën e Kosovës që në emër të shpenzimeve procedurale t’i paguaj shumën e përgjithshme prej 1488 eurove.

Lidhur me kërkesëpadinë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata e Prizrenit e ka konsideruar si të pabazuar ndërsa ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinës si të tërhequr.

Rasti vazhdon të mbesë aktiv edhe më tej, tek në shkurt të 2023 ishte marr një vendim nga Gjykata e Apelit për këtë rast.

Kjo gjykatë kishte marr vendim për të kompensuar me 30 mijë euro familjen e Diana Kastratit për dëmin jo material e dhimbjet shpirtërore të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre.

Makfire Kastrati, nëna e Dianës, përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook kishte shkruar se dëmet emocionale të familjes së saj nuk mund t’i kompensojnë paratë e botës, derisa ka akuzuar institucionet për “dështimin për t’i ofruar mbrojtje Diana Kastratit”.

Në reagimin e saj, Makfirja kishte treguar se padia e tyre si familje ka qenë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për dështimin në kryerjen e punëve të tyre.

E ajo kishte bërë të ditur se këtë lëndë do ta dërgojë përsëri në Gjykatë me akuzën për shtrembërim të procesit dhe lëndës.

Korab Sejdiu, avokat i familjes së Dianës në një emision në KallxoPernime kishte treguar se si mosveprimi i institucioneve për të mbrojtur të ndjerën ka qenë cenim i  të drejtës në jetë nga ana e shtetit për Dianën.

Ai kishte thënë se në këtë rast ka dështuar Republika e Kosovës që të zbatojë rregullat ligjore që janë të parapara për ta mbrojtur një viktimë të dhunës në familje.

Në anën tjetër, Saranda Keqekolla – Avokate dhe ish-mbrojtëse e viktimave kishte deklaruar para disa muajsh se si në rastin e Diana Kastratit, kërkesa për urdhër mbrojtje iu ishte gjetur gjyqtarit mbi tavolinë.

Ajo kishte thënë se në rastin e Dianës, gjyqtarin është sanksionuar me 50 për qind të pagës, e pastaj ka kaluar në një departament tjetër.

“Gjykata nuk po jep mësim tek gjyqtarët e tjerë që nëse bëjnë shkelje kanë me i qit prej punës ose kanë me i dërgu në burg” – tha Keqekolla.

Familjarët enden gjykatave teksa kujtimin e Dianës e mbajnë të gjallë

Paratë e botës s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familjes Kastrati” – kishte thënë në shkurt të këtij viti nëna e Dianës, Makfire Kastrati kur kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të kompensuar me 30 mijë euro familjen e saj për dëmin jomaterial e dhimbjet shpirtërore të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre.

Në një reagim të gjatë ajo kishte thënë se familja e saj nuk e kishte bërë padi për të marr kompensim, por t`u dënuar ata që ajo mendon se nuk kanë kryer detyrat që i takonin.

“I kam ca fjalë për ju Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, desha t’ua sqaroj që familja Kastrati ju ka paditur për mos kryerjen e detyrës tuaj, për dështimin në punën tuaj e për të cilën paguheni dhe jeni paguar nga taksat tona, madje edhe nga taksat që ka paguar vet Diana” – kishte thënë Makfirja.

“Ju, i keni duart e përgjakura, po aq sa kriminelët që e kanë kryer krimin. Ju, pikë së pari keni dështuar t’i ofroni mbrojtje vajzës sime, përkundër që ju përgjëruam, përkundër që ishit të thirrur ta mbronit” – pati vazhduar ajo.

Makfirja kishte thënë se vajza e saj nuk ishte vrarë vetëm herën e parë, por edhe të dytën kur familja e saj ia shtriu dorën shtetit për t’i kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, por që sipas Makfires shteti ia ktheu shpinën.

Ajo gjithashtu asokohe njoftoi se do të vazhdojnë prapë të parashtrojnë ankesa në organet kompetente për mosveprimet e shtetit.

Edhe babai i Dianës, Gëzim Kastrati në një prononcim për KallxoPernime në muajin dhjetor 2023, teksa flitej për vrasjen e Liridona Ademaj, tha se dhembjen po e ndjejnë çdo ditë, e më shumë iu shtohet kur dëgjojnë se vrasjet e grave nuk po ndalen.

“Për fat të keq që nga vrasja e vajzës time prej vitit 2011 e deri më tani me dhjetëra gra janë të vrara, përkundër përpjekjeve që të ndryshojë edhe sistemin edhe ligjet në fuqi, por ja që për fat të keq nuk po mbarojnë këto viktima, në këtë rast kryesisht gratë, nënat” – kishte thënë babai i Dianës.

Ai tha se vrasja e vazhdueshme ndaj grave jep një alarm qytetar, një alarm në tërë Kosovën, që në raste të tilla pushteti e shteti, e edhe organet e rendit duhet të ngrisin nivelin e mbrojtjes në këtë drejtim.

“Ne merremi me rastin vetëm kur ndodhë rasti, por në momentin kur jemi të lirë atëherë kurrkush nuk merret me hetu një rast jo të tillë, por një rast që është recedivist apo që është i inkriminuar” – tha ai.

Teksa shtoi se prokuroria edhe gjyqësori është tepër shumë i butë tek këta persona që kryejnë vrasjet.

“Qysh edhe atëherë kam thënë, edhe tani po them edhe gjithmonë do të them se po të kishte masa pak më të ashpërsuara, atëherë nuk do të ndodhin rastet” – shtoi Gëzimi, babai i Dianës.

Ai vlerëson se dënimet janë shumë të buta, e se marrja e veprimeve nga gjyqësori dhe prokuroria janë të pakta.

‘Strategjitë’ e shtetit 

Ministria e Drejtësisë ka hartuar një strategji kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, e cila ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2022.

Kjo strategji parasheh zhvillimin e planit të banimit social trevjeçar në komuna dhe planifikimin e banimit social për viktimat e dhunës ndaj grave.

Për këtë qëllim, gjatë tre vjetëve është planifikuar ndarja e 120 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës dhe nga komunat.

Strategjia parasheh, po ashtu, krijimin e fondit për punësimin e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe lehtësira të tjera për punësim dhe vetëpunësim.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në vitin 2022 kishte publikuar edhe Planin Strategjik për dy vitet ardhshme, pra deri në vitin 2024.

Shtylla e katërt e këtij plani u nda për prioritizimin e hetimit të veprave penale dhe ndjekjes së kryesve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, pastrimit të parave, krimeve të luftës, terrorizmit dhe krimit kibernetik, dhunës në familje dhe krimeve të urrejtjes.

Pra, në këtë plan strategjik dy vjeçar, KPK dhunës në familje i dha prioritet duke thënë se është një vepër penale që duhet të hetohet dhe kryerësit e saj duhet të ndiqen.

Ky plan i Këshillit Prokurorial në vetvete mbërthen edhe pjesën e profilizimit të prokurorëve dhe trajtimin e rasteve penale me prioritet.

Objektiv specifik është ndarë edhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje.

“Dukuria e dhunës në familje dhe numri i rasteve është në vazhdimësi i lartë, gjë që kjo vepër penale paraqet shqetësim serioz për shoqërinë tonë” – thuhet në këtë plan.

Tutje KPK në strategjinë e tyre thanë se sistemi prokurorial ka kushtuar rëndësi trajtimit të këtyre rasteve me prioritet të latë në mënyrë konsistente.

Gjithashtu KPK tha se në këtë drejtim kanë vazhduar punën koordinatorët e caktuar për secilën prokurori themelore, duke ofruar trajtim më efikas dhe dinjitoz për viktimat e dhunës në familje.

“Lidhur me trajtimin e këtyre rasteve ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me mbrojtësit e viktimave dhe Policinë e Kosovës. Mirëpo, meqenëse, kjo dukuri vazhdon të mbetet shqetësuese, ky angazhim do të fuqizohet edhe më tej me të gjitha resurset e nevojshme” – tha KPK.

Po ashtu, në plani strategjik u tha se kapacitetet profesionale të prokurorive dhe mbrojtësve të viktimave do të vazhdojnë të fuqizohen, me qëllim të reagimit sa më të shpejtë, identifikimit të rasteve më serioze, vlerësimit të rrezikshmërisë në çdo rast, trajtimit profesional dhe dinjitoz, si dhe prioritezimin e vazhdueshëm të rasteve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë një përgjigje për KALLXO.com se trajtimi i rasteve të dhunës në familje nga prokurorët ka shënuar shumë përmirësime, në krahasim me periudhën para vitit 2017.

Sipas KPK-s, në vitin 2017, KPK-ja ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve të specializuar që do të punojnë vetëm me rastet e dhunës në familje.

“Sipas këtij vendimi, në secilën prokurori duhet të caktohen së paku nga një prokuror, i cili vepron edhe në cilësinë e koordinatorit për këto raste, varësisht nga numri i rasteve që i ka prokuroria përkatëse. Njëkohësisht është miratuar një udhëzues, në të cilin jepen udhëzime se si do të organizohet puna e përditshme nëpër prokurori, sa u përket këtyre rasteve, si do të veprohet me kujdestari, si do të zëvendësohet prokurori i caktuar për dhunën në familje kur mungon, etj.” – thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Sipas tyre. në Prishtinë, para një viti, për shkak të numrit të madh të rasteve, është themeluar Departament i veçantë për Dhunën në Familje, i përbërë nga 4 prokurorë, njëri nga të cilët, përveç që ngarkohet me raste, vepron edhe si udhëheqës i departamentit.

“Që nga themelimi i këtij departamenti dhe nga angazhimi i resurseve shtesë në trajtimin e këtyre rasteve, kemi parë shumë përmirësime dhe rezultate në kryerjen me efikasitet të shtuar të tyre. Prokuroria Themelore në Prizren, për shkak të numrit të rritur të rasteve, ka caktuar edhe nga një prokuror shtesë, ndërsa prokuroritë e tjera funksionojnë me nga një prokuror për rastet e dhunës në familje” – vijon tutje përgjigja.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës  ka Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi për vitet 2022-2025.

Sipas këtij plani, në trajtim e lëndëve të fushës civile – dhunë në familje, gjyqtarët duhet të kujdesën që të trajtohen brenda afatit të shkurtër, duke u kujdesur që urdhrat mbrojtës si dhe urdhrat mbrojtës emergjente të lëshohen brenda afateve ligjore të përcaktuara me Ligjin përkatës për mbrojtje nga dhuna në familje.

Po ashtu, KGJK në këtë plan strategjik vlerëson se mos trajtimi i lëndëve të kësaj natyre ka ndikim negativ edhe brenda familjes dhe për shoqërinë dhe pasojat janë të pa riparueshme.

“Numri i lëndëve të kësaj natyre në vazhdimësi është në rritje e sipër dhe është e domosdoshme që trajtimi i tyre të jetë në kohë të arsyeshme dhe me prioritet të lartë” – thuhet në planin e Këshillit Gjyqësor.

Lidhur me zbatimin e këtij plani strategjik, KALLXO.com ka kontaktuar me KGJK-në por të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

Mirëpo, Flaka Fazlija nga BIRN vlerëson se kapacitetet e shtetit për t`i trajtuar këto raste edhe shumë raste janë të mangëta.

Ajo tha se zingjiri i raportimit ka qenë jo-funksional, e se viktima është dekurajuar në procesin e raportimit të dhunës.

“Është evidente që në të shumtën e rasteve kur dhuna gjinore ka përfunduar me fatalitet shteti ka qenë i informuar, por neglizhent përball një thirrje të tillë” – shton Fazlija.

Sfidat me të cilat po përballen OJQ-të gjatë monitorimit të rasteve të dhunës

Monitorimi i proceseve gjyqësore të rasteve të ndryshme, përpos që nganjëherë di të zgjas më shumë sesa që duhet e në fund prapë të mos ketë dënim të mjaftueshëm, ka edhe sfida të tjera.

Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut thotë se në mesin e shumë sfidave tjera, një ndër sfidat më aktuale me të cilat ballafaqohen është kualiteti i monitorimit.

“Ka mungesë të monitorimit ekstensiv dhe kualitativ. Më tutje, ka mungesë të trajnimeve apo përgatitjeve profesionale për monitorim” – thotë YIHR për KALLXO.com.

Në përgjigjet e kësaj organizate po ashtu është thënë se një nga sfidat kryesore në Kosovë mbeten masat e dobëta ndëshkimore ndaj kryesve të veprave të tilla penale, ku në raste të shumta merren parasysh vetëm rrethanat lehtësuese nga ana e Gjykatave dhe rrjedhimisht pasojnë dënime të ulëta.

Këto dënime sipas kësaj OJQ-je, drejtpërsëdrejti ndikojnë në uljen e raportimit të rasteve të dhunës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Organizata në fjalë, përmes platformës “E Drejta Jem” mundëson raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qytetarë në mënyrë tërësisht anonime, e më pastaj, ekipi i juristëve të organizatës shqyrton raportimet dhe orienton palën raportuese për hapat që duhet ndjekur për të iniciuar procedurë, organet kompetente të cilëve duhet drejtuar për rastin në fjalë e kështu me radhë.

Albana Hasani, zyrtare ligjore në ‘FOL’, thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka të dhëna se sa aktgjykime të dhunës në familje shpallen në gjykata brenda periudhave të caktuara kohore.

“Prandaj ne nuk kemi informacione se sa është përqindja e aktgjykimeve të shpallura të dhunës në familje që publikohen ne ueb-faqen e KGJK-së thotë ajo.

Sipas saj një nga problemet se pse nuk dihen saktë numri i aktgjykimeve të publikuara për rastet e dhunës në familje është numri i madh i lëndëve me të cilat ballafaqohen gjykatat tona në nivel vendi.

“Arsyeja se pse nuk publikohen aktgjykimet në tërësi, është ngarkesa me fluks të madh të punëve e zyrtarëve përgjegjës për publikimin e aktgjykimeve si dhe mungesa e kapaciteteve dhe resurseve njerëzore nëpër gjykata”- thotë ajo.

Shteti me vetëm dy inspektorë që mbikëqyrin shërbimet sociale

Një hulumtim i BIRN në muajin qershor ka zbardhur se shteti i Kosovës ka vetëm dy inspektorë të cilët kanë në portfolion e tyre inspektimin e cilësisë së organizatave që ofrojnë ndihmë dhe shërbime sociale për komunitetin.

Konventa e Stambollit kërkon që viktimat e dhunës në baza gjinore të marrin trajtim të nevojshëm dhe mbrojtje sociale nga shteti dhe mekanizmat e organizimit të komunitetit apo shoqëria civile.

Në pako hyjnë edhe këshillimet psikologjike apo shërbimet e tjera sociale si këshillimi dhe trajtimet post-traumatike. Vendi ka ndërtuar një bazë ligjore e cila i licencon të gjitha organizatat që ofrojnë shërbime sociale mirëpo një hulumtim i BIRN zbardhë se Ministria e Drejtësisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të kryer monitorimin e punës së organizatave.

Pikërisht instrumenti i parë ligjor në Evropë që specifikon standarde me qëllim të parandalimit të dhunës gjinore Konventa e Stambollit thekson rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve thelbësore për ata që përjetojnë dhunë, rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndihma për të ndryshuar qëndrime dhe për të krijuar një kulturë me tolerancë zero ndaj dhunës gjinore.

Inspektimi i shërbimeve sociale dhe familjare bëhet sipas Planit Vjetor të Punës (inspektime të planifikuara dhe inspektime të jashtëzakonshme) në QPS, OJQ dhe subjekte juridike private.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.