Nëna e Diana Kastratit reagon pas vendimit të Gjykatës së Apelit: Do shihemi përsëri në Gjykatë

Makfire Kastrati, nëna e Diana Kastratit që ishte vrarë në vitin 2011 nga ish-bashkëshorti i saj ka reaguar pas vendimit ë Gjykatës së Apelit për të kompensuar me 30 mijë euro familjen e Diana Kastratit për dëmin jomaterial e dhimbjet shpirtërore të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre.

Përmes një reagimi përmes profilit të saj në Facebook Makfire Kastrati ka shkruar se dëmet emocionale të familjes së saj nuk mund t’i kompensojnë paratë e botës, derisa ka akuzuar institucionet për “dështimin për t’i ofruar mbrojtje Diana Kastratit”.

Në reagimin e saj, Makfire Kastrati ka treguar se padia e tyre si familje ka qenë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për dështimin në kryerjen e punëve të tyre.

“JU, i keni duart e përgjakura, po aq sa kriminelët që e kanë kryer krimin. Ju, pikë së pari keni dështuar t’i ofroni mbrojtje vajzës sime, përkundër që ju përgjëruam, përkundër që ishit të thirrur ta mbronit. Madje edhe dështuat të solidarizoheshit me vet rastin!” – ka shkruar Makfire Kastrati në Facebook.

Sipas saj, familja e Diana Kastratit nuk ka kërkuar kompensim për dëme emocionale, por drejtësi.

“Në asnjë rast, familja Kastrati nuk ka kërkuar kompensim për dëme emocionale, sepse te fundi i fundit ky do ishte një absurditet, njëjte sikurse komunikata tuaj. Familja Kastrati ka kërkuar që drejtësia të shkoj në vend për ata që kanë dështuar të kryejnë punën e tyre, siç duhet të kërkojë çdo qytetar kur shteti dështon të bëj punën e vet” – ka shkruar tutje nëna e Diana Kastratit, Makfire Kastrati.

Ajo ka bërë të ditur se këtë lëndë do tadërgojë përsëri në Gjykatë me akuzën për shtrembërim të procesit dhe lëndës.

“Mua s’më mbetët tjetër pos të ju them që ne do shihemi sërish në gjyq për shtrembërim të procesit dhe lëndës në tërësi, e po ashtu edhe për gënjeshtrat se “solidarisht” keni ofruar ndihmën që pretendoni se e keni bërë” – thuhet në fund të reagimin e të saj.

Diana Kastrati ishte vrarë me 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë. I dyshuari Jashari ishte i martuar me Diana Kastratin për 10 vjet. Ata ishin ndarë para se të ndodhte vrasja.

Më poshtë mund ta gjeni reagimin e plotë të Makfire Kastratit, nënës së Diana Kastratit:

Paret e botës s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familjes Kastrati. I kam ca fjalë për ju: këshilli gjyqësor i Kosovës dhe qeveria e Republikës së Kosovës, unë nana e Diana Kastratit, Makfire Kastrati, e jo Krasniqi siç e keni shkruar ju (analfabet ordiner).

Ju, në publikimin tuaj, keni thënë “në emer të kompensimit jo material per dhimbjet e përjetuara shpirtërore”, desha t’ua sqaroj që familja Kastrati ju ka paditur për mos kryrjen e detyres tuaj, per deshtimin ne punen tuaj…e për të cilën paguheni dhe jeni paguar nga taksat tona, madje edhe nga taksat që ka paguar vet Diana. JU, i keni duart e përgjakura, po aq sa kriminelët që e kanë kryer krimin. Ju, pikë së pari keni dështuar t’i ofroni mbrojtje vajzës sime, përkundër që ju përgjëruam, përkundër që ishit të thirrur ta mbronit. Madje edhe dështuat të solidarizoheshit me vet rastin!

Ju, keni dekurajuar me vite e vite, gra e qytetarë të Kosovës që të vijnë për të kerkuar shërbimin tuaj, sepse për ndihmë tuajen as që bëhet fjalë. Shërbim për të cilin paguheni dhe ushqeni familjet e fëmijët tuaj!

Ju, qe sorrollateni kafeveneve dhe nuk gjeni motivin as edhe një komunikatë ta shkruani si duhet.

Ju, udhëheqës, të padobishëm, të mjerë e gënjeshtarë, mos vallë “SOLIDARISHT” paskeni dashtë të na ndihmonit? Unë, nëna e Dianës, pas 11 vitesh ndihem e turpëruar për juve, ndjej keqardhje dhe neveri, pikëllim, dëshpërim e trishtim. Familja Kastrati ju ka hedh ne gjygj për neglizhencë dhe dështim të kryerjes së punës të cilën jeni të obliguar me ligj ta kryeni dhe e ka fituar gjyqin. A e dini cka do te thotë kjo? Pasuria e botës nuk mund të shëroj apo lehtësoj dhimbjen e prindit kur e humbë fëmijën. Në asnjë rast, familja Kastrati nuk ka kërkuar kompensim për dëme emocionale, sepse te fundi i fundit ky do ishte një absurditet, njejtë sikurse komunikata tuaj. Familja Kastrati ka kërkuar që drejtësia të shkoj në vend për ata që kanë dështuar të kryejnë punën e tyre, sic duhet të kërkojë cdo qytetar kur shteti dështon të bëj punën e vet. Te ju dëmtoj me një mënyrë që është e vetmja që juve ju dhemb, që të keni me pak për darka e raki kafeneve të qytetit. Te ju bej të mendoni se edhe familje të tjera qe kan humbë fëmijë, per shkak dështimit tuaj, mund te ju dëmtojnë njejtë, e buxheti për veturat e hotelet tuaja luksoze të jetë më mangët e më i paktë cdo ditë. Ju, që nuk ofroni siguri as në trafik, as në shkollë, as në spital e as ne burg…Ju, që jeni të dehur 24/7 nga fuqia e pushtetit dhe mendoni se jeni të paprekshëm. Qytetarët e Kosoves, në vecanti gratë, që fatkeqesisht humbin jeten cdo ditë, nuk udrejtohen juve, ngase e dinë se sa të pa afte, neglizhues e injorantë jeni. Aq injoranrë, sa as shkrim dhe lexim s’dini.

Ju, që pas më shumë se 10 vitesh, talleni “solidarisht” me gjendjen tonë emocionale dhe shpirtërore. Gënjeshtarë! Avokatet tane qe kanë drejtuar procesin, na kane keshilluar që kjo është menyra më e mirë për me i vetedijësu gjyqtarët, (analfabetët, që nuk e mësuan punën e tyre as në shkollë e as në praaktikë). Jemi këshillu që neglizhuesit duhet të dëmtohen e viktimat të kompensohen…dhe e gjithë kjo ishte bërë edhe për një qëllim tjetër, që unë, nana e Dianës, të mund të ndihmoja gra të tjera në nevojë, realisht të bëja punën tuaj, pa “shkollen” tuaj, por me një ndergjegje të paster e fisnike. Ju edhe po të donit, edhe po të kishit 100 jetë, asnjëherë nuk do të mund të paguanit dëmet apo përjetimet tona emocionale, sepse për ne jeta e njeriut nuk ka cmim.

Fatkeqesisht edhe ky shkrim mund të jetë dekurajim për shumë gra në nevojë, per ato gra që cdo ditë luftojnë me jete a vdekje, per ato gra qe kur kanë nevojë më së shumti për juve, ju i zhgënjeni sepse edhe ato vet e dinë se jeni të PA DOBISHËM.

Mua vajza më është vrarë dy herë…për herë të parë nga vet ju, kur ju shtrimë dorën për ndihmë dhe mbrojtje dhe ju na kthyet shpinën sikur edhe shumë e shumë të tjerave. Ju jeni më kriminel se kriminelët, ju jeni genjeshtarë të pacipë dhe analfabetë të pashoq.

Me falni vajza e gra, por prapavija e këtij akti të qeverisë është të ju lë pa zë, të ju shtypë kokën që ju të mos kërkoni ndihmë, të mos nisni procese të shpëtimit të vet jetës suaj, por edhe po e nisët ata do ju zvarrisin me vite e vite nëpër gjykata vetëm për tu tallur dhe për t’ju gënjyer paturpësisht.

Mua s’më mbetët tjetër pos të ju them që ne do shihemi sërish në gjyq për shtrembërim të procesit dhe lëndës në tërësi, e po ashtu edhe për gënjeshtrat se “solidarisht” keni ofruar ndihmën që pretendoni se e keni bërë.