Foto: Arkiv: Zyrtarë të EULEX-it dhe kolegët nderojnë oficerin doganor Audrius Shenaviçius në trevjetorin e vrasjes - Foto: KALLXO.com

EULEX dorëzon te prokuroria vendore dosjen për doganierin e vrarë në veri

Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX, ka lëshuar një komunikatë në pesëvjetorin e vrasjes së zyrtarit doganor të këtij misioni, Audrius Senavicius, në afërsi të Zveçanit, nga persona që ende mbesin të panjohur për drejtësinë.

Në këtë deklaratë, shefja e misionit thotë se hetimi i vrasjes së këtij zyrtari do t’i dorëzohet prokurorisë vendore.

“Sot ne e nderojmë kolegun tonë të dashur Audrius Senavicius, i cili u vra tragjikisht në krye të detyrës. Audriusi e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të vlerave dhe parimeve më të larta, duke kontribuar me përkushtimin, profesionalizmin dhe eksperiencën e tij për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.

Në mëngjesin e sotëm, Zëvendës-shefi i Misionit Bernd Thran, i shoqëruar nga një përfaqësues i komunës së Zveçanit, ka shkuar në vendin ku Audriusi vdiq tragjikisht për ta vendosur një kurorë me lule në kujtim të tij. I tërë personeli i EULEX-it e mbajti një minutë heshtje në nderim dhe respekt për kolegun e tyre.

“Sakrifica sublime e Audriusit duhet të kujtohet përgjithmonë. Mendjet tona janë me familjen dhe miqtë e tij si dhe me autoritetet e Lituanisë, të cilët me pikëllim e dhimbje ende presin që kryerësit e vrasjes së Audriusit të sillen përpara drejtësisë. Tani kur EULEX-i do t’ia dorëzojë gjyqësorit të Kosovës rastin e vrasjes së Audriusit si pjesë e ndërprerjes së funksioneve ekzekutive të tij në sistemin e drejtësisë së vendit, unë i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i vazhdojnë pareshtur hetimet për këtë krim të neveritshëm”, theksoi Papadopoulou.

EULEX-i edhe një herë i bën thirrje secilit që mund të ketë informata të cilat mund të jenë të dobishme për hetimet që të paraqiten pa hezitim. Ky Mision ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 82.000 Euro për çfarëdo informate që sjell deri te arrestimi i kryerësit(ve) të kësaj vrasje, thuhet në komunikatë.