Eprori i PK-së: Eksplozivi i Gavriqit më i Fortë se Bomba në Madrid

Togeri i policisë së Kosovës Rushiti në dëshminë e tij ka dhënë detaje për mënyrën se si policia e ka zbuluar eksplozivin e Gavriqit dhe për gjendjen në të cilën ndodhej eksplozivi në kohën kur policia ndaloi makinën.

Ai ka rrëfyer para gjykatës se qentë e Policisë së Kosovës nuk kishin arritur ta zbulonin dhe identifikonin këtë eksploziv.

“Eksplozivi ka pasur një erë dhe për këtë arsye qentë nuk kanë arritur ta zbulojnë,” ka rrëfyer togeri.

Ai  ka dhënë sqarime edhe për rrezikun e eksplozivit brenda të cilit ishin gjetur bulonë dhe pjesë metalike”

“Vendosja e shrafave dhe bulonave ndikon që plagët të jenë vdekjeprurëse deri në 100 metra. Kjo shpjegohet pasi që pjesët metalike fluturojnë shume larg,” shpjegoi togeri.

Togeri Muhamet Rushiti duke iu referuar raportit të FBI-së për eksplozivin e gjetur te Gavriqi, tha se ky lloj eksplozivi është eksploziv plastik i llojit PETN, më i fuqishmi që prodhohet aktualisht.

Sipas Rushitit ky lloj eksplozivi ka një shpejtësi të shpërthimit prej 8 mijë e 400 metër për sekond.

Rushiti tha se eksplozivë të tillë prodhohen vetëm nëpër fabrika shtetërore me kritere shumë të ashpra.

“Te i akuzuari janë gjetur rreth 25 paketime të mbështjella me foli najloni. Në këto paketime ka pasur 10 kilogramë e 844 gramë eksploziv dhe 1 kilogram e 375 gramë mjete të forta si gozhda dhe bulona,” tha dëshmitari.

Ai mori si shembull sulmin terrorist në Madrid në mars të vitit 2004 për ta treguar fuqinë e eksplozivit të gjetur te Gavriqi.

Tha se njëra nga 11 bombat e vendosura në Madrid nuk shpërtheu, ndërsa kur u çmontua i kishte 10 kilogramë dinamit dhe 640 gramë gozhda.

Këtë bombë në Madrid togeri Rushiti e konsideroi shumë më të dobët se eksplozivi që kishte me vete Gavriqi.

Togeri Rushiti tha se në automjetin e të akuzuarit, apo në trupin e tij nuk është gjetur asnjë iniciues detonator për eksplozivin dhe se në momentin e ndaljes së automjetit i akuzuari nuk ka pasur mundësi ta aktivizojë eksplozivin.

Pyetjes së Zhivojin Jokanoviqit, avokatit mbrojtës të Sllobodan Gavriqit se çfarë ngjyre ka pasur kjo materie eksplozive, togeri Rushiti iu përgjigj se eksplozivi ka pasur dy ngjyra, të verdhë të çelët dhe të verdhë të mbyllur.

Nga avokati mbrojtës eksperti u pyet se a dihet origjina e këtij eksplozivi, eksperti u përgjigj se Kosova dhe Shqipëria nuk e prodhojnë këtë eksploziv, Serbia e ka prodhuar më herët, po nuk jam në njohuri a prodhon tani dhe se është vështirë të gjendet origjina e këtij eksplozivi.

Edhe i akuzuari Gavriq pati pyetje për ekspertin. Tha se a ka zbatim civil ky lloj eksplozivi.

Rushiti iu përgjigj se eksplozivi i tillë është shumë i fuqishëm dhe përdoret vetëm nga forcat ushtarake dhe policore.

Sipas Rushitit te gurthyesit përdoret dinamiti që ka fuqi shumë më të vogël.

Dëshmitari tha se nuk ka njohuri nëse ndonjë shtet jep leje të përdoret ky lloj eksplozivi në zbatim civil.

14:20

Togeri i Policisë së Kosovës Muhamet Rushiti është duke dëshmuar në gjykimin e Sllobodan Gavriqit.

Gavriq akuzohet nga Prokuroria Speciale për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa gjykata dëshmitarin e sotëm e ka cilësuar ekspert eksplozivësh.

Eksperti i eksplozivëve ishte paraparë të dëshmonte edhe më 22 shkurt, por në atë seancë mungoi një anëtar i trupit gjykues dhe ajo seancë nuk u zhvillua.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-ndaj-slobodan-gavriqit/

Gavriq u kap me rreth 12 kilogramë eksploziv në dhjetor të vitit 2015 në Prishtinë pasi makina e tij u ndal nga policia në Lagjen “Arbëria”.

Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Mbrojtja dhe vetë Gavriq në vazhdimësi e kanë kundërshtuar pretendimin e prokurorisë duke pretenduar se Gavriq ishte vetëm transportues i eksplozivit i cili ishte dedikuar për shitje.

gavriq2