Enver Hasani Akuzon Kryeprokurorin Lumezi për Aktakuzën (VIDEO)

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani pas përfundimit të seancës, deklaroi se aktakuza për të cilën ai po ngarkohet është hakmarrje ndaj tij.

Për këtë ai akuzoi drejtpërdrejt Kryeprokurorin eShtetit, Aleksandër Lumezi.

“Sa më përket mua, e kam thënë edhe më herët në media që kjo është një lojë e Lumezit. Është hakmarrje për vendimmarrje si kryetar i Gjykatës Kushtetuese”, tha Hasani për KALLXO.com.

Hasani po i referohej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese i cili e kishte përmbysur një vendim të Këshillit Prokurorial për emërimin e Lumezit si Kryeprokuror të Shtetit, pak vjet më parë

Avokati i Hasanit, Betim Shala, tha se beson se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, do të vërtetohet dhe se do të dalë në pah pafajësia e të mbrojturit të tij.

Në anën tjetër, kryeprokurori Aleksandër Lumezi mohoi pretendimet e Hasanit, duke thënë se hetimet ndaj këtij të fundit kanë filluar me herët se ai të bëhej kryeprokuror.

“Pa dashur të merrem me pretendimet e Hasanit, dua të them se hetimet ndaj Hasanit kanë filluar para se unë të zgjidhem Kryeprokuror dhe Hasani e di shumë mirë këtë”, tha Lumezi.

Ai po ashtu tha se çështja e hetimit, ngritjes së aktakuzës apo pushimit të hetimeve është çështje e prokurorit që e ka hetuar rastin.

Hasani së bashku me Hakif Veliun dhe Albert Rakipin akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprën penale të mashtrimit lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e Universitetit të Prishtinës në kohën kur Enver Hasani ishtë rektor i UP-së.

Pas leximit të aktakuzës të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.