Fakulteti Juridik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Këshilli i Etikës i UP-së vërteton ekzistimin e diplomës së doktoratës të dekanit të Juridikut
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka konfirmuar vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës të dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka.
Ky vendim vjen pas akuzave të profesorit të UP-së, po ashtu në Juridik, Enver Hasani, i cili pati pretenduar më 21.06.2023 se diploma e Pukës në Universitetin e Romës “La Sapienza” nuk ekziston.
“Këshilli i Etikës duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza” të Italisë dhe diplomën e prezantuar, konfirmon vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Prof. Asoc. Dr. Avni Puka” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.
Ky Këshill ka konstatuar origjinalitetin e punimit të doktoratës duke u bazuar në raportin e ekspertizës profesionale.
“Këshilli i Etikës, duke u bazuar në raportin e ekspertizës profesionale, konstaton origjinalitetin e punimit të doktoratës të Prof. Asoc. Dr. Avni Puka me titull: “Përgjegjësia penale e personave juridikë”, të mbrojtur me datën 08.09.2016, pranë Fakultetit Juridik, Universitetit te Prishtinës” – thuhet më tej në vendim.
Në këtë vendim thuhet se dekani Puka i ishte drejtuar vetë Këshillit duke kërkuar shqyrtimin dhe vlerësimin e pretendimeve kundrejt tij të publikuara në media.
“Kam lypë disertacion në Universitetin “La Sapienza”, në Fakultetin Juridik… Kam marrë konfirmimin përfundimtar që thotë se në bibliotekën centrale të Firencës dhe në Romë, asnjëherë disertacioni i zotëri Pukës PhD nuk është dhe nuk ekziston” – pati deklaruar Hasani në KTV.
Në reagimin e tij, pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Etikës, Avni Puka ka thënë se asnjë sulm, shpifje apo formë tjetër e shantazhit nuk e ka zmbrapsur që për këto 3 vite në detyrën e dekanit të Fakultetit Juridik të ndalojë ndikimin abuzues të individëve e grupeve dhe të realizojë reforma të thella që, siç thotë ai, Fakultetin Juridik e transformojnë në model të jashtëzakonshëm të zhvillimit.