Kurti: Kosova ka nevojë për kryeprokuror të guximshëm, punëtor dhe energjik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Kurti tha se ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës dhe ka kërkuar vëmendjen e të gjithëve.

“Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik. Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare”, tha Kurti në një postim në Facebook.

Kurti në fund të shkrimit tha se si kryeministër i vendit pret që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor.

KALLXO.com ka raportuar për prokurorë e kryeprokurorë të prokurorive të ndryshme në Kosovë, të cilët kanë aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezit, të cilit i skadon mandati në prill.