Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Udhëheqësit 'më të kërkuar' në Kosovë më 2022

Kryeprokuror i Shtetit, Ministër i Shëndetësisë e Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, janë tri prej pozitave të larta që kanë mbetur “bosh” tash e një kohë si pasojë e mosemërimit të udhëheqësve të rinj të tyre, me mandat të plotë.

Procesi për përzgjedhjen e tyre është zvarritur nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ende nuk dihet zyrtarisht kush do të jenë pasardhësit në këto pozita.

Emri i Kryeprokurorit të Shtetit është në proces të dekretimit që më shumë se gjashtë muaj prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar Blerim Isufajn dhe e ka dërguar emrin e tij tek Presidentja për dekretim.

Pas këtij vendimi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, ka thënë presidentja.

Në tetor, presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin e drejtësisë, para se të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë e kanë kundërshtuar procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar anulimin e këtij konkursi.

Aktualisht Prokuroria e Shtetit është duke funksionuar me ushtrues detyre.  Në këtë pozitë që 246 ditë është vendosur Besim Kelmendi pas përfundimit të mandatit shtatë vjeçar, të ish Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, i cili i emocionuar, ka përmbyllur mandatin e tij më 21 prill të këtij viti.

Edhe për Ministrinë e Shendetësisë po kërkohet emri i udhëheqesit të ri tash e më shumë se dy muaj pas dorëheqjes së Rifat Latifit më 6 tetor.

Prej asaj date kompetencat e plota i kanë kaluar zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku, ndërsa ekzekutivi as pas 76 ditëve nuk ka bërë të ditur kur do të emërohet ministri i ri.

KALLXO.com kishte raportuar më 1 dhjetor 2022 se kryeministrit, Albin Kurti iu deshën më pak se 1 muaj për të zëvendësuar pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, që mbeti bosh pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, por nuk po i mjaftuan atë kohë, 56 ditë për të zëvendësuar Rifat Latifin, në krye të ministrisë të Shëndetësisë.

Për mos emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë dhe menaxhimin me këtë sektor, Qeveria Kurti në vazhdimësi është kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, ku edhe është mbajtur debat parlamentar lidhur me gjendjen në këtë sektor.

Në gjendje të njëjtë janë edhe institucione tjera shëndetësore.

Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) aktualisht udhëhiqet nga Pranvera Zejnullahu – Raçi e cila mban pozitën e ushtrueses së detyrës pas dorëheqejes së Valbon Krasniqit më 2 gusht 2022.

Ndërsa, Inspektorati Shëndetësor deri dje është udhëhequr nga Shaban Osmanaj i cili ka mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës. Ai është liruar nga detyra pas rastit në të cilin dyshohet se foshnja e lindur pa shenja jete u fut në rrobalarese në Spitalin e Përgjithshëm të Pejë.

Pas rastit në Pejë, Nora Kursani-Demjaha është emëruar ushtruese e detyrës së Kryeinspektores së Inspektoratit Shëndetësor.

Përveç shëndetësisë, edhe në sektorin e sigurisë ka pozitë vakante, përkatësisht në Policinë e Kosovës.

Pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm, Policia e Kosovës që 115 ditë po udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Fehmi Hoti.

Për këtë proces, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla më 17 nëntor ka thënë se faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur dhe tani janë në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat tjera.

“Unë tashmë besoj që e dini që faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllë, tani jemi në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat tjera të procesit. Sapo të themelohet komisioni do të vazhdojnë me procedura tjera deri në finalizim”- ka thënë Sveçla.

Drejtë postit për të parin e Policisë se Kosovës ia kanë mësyrë pesë kandidatë.

Ky institucion mbeti pa ‘zot shtëpie’ që nga muaji gusht pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit i cili dha dorëheqje ‘morale’ pas rastit të dyshimit tëdhunimit të 11-vjeçares nga Prishtina e cila tronditi opinionin kosovar në gushtin e kaluar.