Engel thotë se Kosova Duhet ta Ketë Ushtrinë dhe Lëvizjen pa Viza

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës Dardan Gashi është takuar me kongresistin amerikan Eliot Engel.

Sipas një njoftimi nga ministria Engel ka thënçë që Kosova duhet ta ketë ushtrinë dhe mundësinë e lëvizjes pa viza.

“Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, duhet të ketë ushtrinë dhe liberalizimin e vizave”, tha Engel, sipas njoftimit.

Kongresisti tha gjithashtu që Serbia nuk duhet të sillet në mënyrën qysh po e bën, duke e quajtur këtë sjellje “lojë e bllokadave ndaj Kosovës”.

Gashi e siguroi Engel-in se Kosova do t’i respektojë obligimet ndërkombëtare që ka marrë.

“Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk do të shtyhet, ne qëndrojmë prapa obligimeve ndërkombëtare, të marra si shtet. Po ashtu, edhe demarkacioni me Malin e Zi është një çështje që është duke marrë formën e zgjidhjes, andaj presim rezultate edhe në këtë drejtim”, tha Gashi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri Gashi tha se para dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës po falënderohen ata që ndihmuan.

“Kur po e festojmë 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, po i falënderojmë të gjithë ata që dhanë kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe shtetësinë e saj, ku vend jashtëzakonisht të rëndësishëm zë kongresisti Engel. Ai ishte zëri i Kosovës në Capitol, në kohën e spastrimit etnik të shqiptarëve, por edhe në kohën e pavarësisë të Kosovës”,deklaroi Gashi.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se ministri do të marrë pjesë edhe në festimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Ambasada e Kosovës në Uashington, bashkë me zyrtarë të lartë të State Departamentit dhe krerët e shtetit të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.