Dosja e të dyshuarit për grabitje të mbi 13 mijë eurove në bankat e vogla në Prizren dhe Prishtinë
Dardan Gashi, është i dyshuar për tentim grabitjen dhe grabitjen e dy institucioneve mikrofinanciare në Prizren e Prishtinë.
Kallxo.com ka siguruar Dosjen e Prokurorisë për këtë rast ku sipas tyre i pandehuri Gashi ka arritur të përvetësojë mbi 13 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, Dardan Gashi në janar 2023, i maskuar kishte arritur që nën kërcënimin e armës dhe thikës në filialin mikro-financiar në Prizren t’i kap mbi 11 mijë euro. Një tentim i dytë për grabitje ka ndodhur vetëm tre muaj më vonë, kur Gashi, i maskuar dhe i armatosur, ka hyrë në një filial tjetër në Prizren. Megjithatë, ai u konfrontua me zyrtarin e sigurimit ku pas kësaj ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, një ditë më vonë, Dardan Gashi sipas dosjes ka kryer një grabitje të tretë, këtë herë në një filial në Prishtinë. Edhe pse ishte në kërkim nga Policia, i pandehuri, i armatosur dhe duke përdorur forcë, ka përvetësuar një shumë prej 2,280 eurosh.
Sipas Prokurorisë Dardan Gashi me këto veprime po ngarkohet se ka kryer veprat penale grabitja, grabitje në tentativë dhe posedim i armës.
Të hënën në Gjykatën e Prizrenit ishte paraparë që të mbahej shqyrtimi fillestar. Mirëpo në mungesë të dy të dëmtuarve ka dështuar seanca.
Artan Sejrani, gjykatës i çështjes ka deklaruar se i dëmtuari Arbnor Zeqiri nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt, ndërkaq për të dëmtuarën Anjesa Fejzullahu është konstatuar në fletkthesë se pala është e panjohur.
Prokurori Petrit Kryeziu nën këto rrethana ka propozuar që në mungesë të kushteve ligjore gjykimi të mos mbahet.
Këtë propozim e mbështeti edhe mbrojtësi i të pandehurit, Valdet Hoxha.
Shqyrtimi i radhës për këtë rast u caktua për më 11 tetor 2023.
Sipas Prokurorisë Dardan Gashi më datë 27 janar 2023, rreth orës 15:09 në Prizren, në objektin e filial mikro -financiar “F” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër -të dëmtuarës “F” me qëllim që t’ i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.
Ai akuzohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – pistoletës se tipit “BLOW 05” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filiales Y. P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu duke i thënë fjalët “shpejt shpejt brenda “, me të cilin hyn brenda duke bërtitur “paret, paret shpejt.. mos t ‘ju dhimbsen se nuk janë paret e juaja, janë të bankës “me ç‘rast arrin që t’ i marrë 11,370.00 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.
Më datë 3 maj 2023 rreth orës 16:01 min, sipas prokurorisë në Prizren, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “F” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “F” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.
I njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës së tipit “BWW C75 ” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe, tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit- i dëmtuari S. Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime te lehta trupore me pasoja te përkohshme te shëndetit të shkaktuara nga mjeti i fortë mprehtës.
I gjendur në situatë konfrontimi dhe i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes ne drejtim te panjohur dhe gjatë ikjes të njëjtit në vendin e ngjarjes i bie një çadër, një çantë dhe çelësat që kishte me vete, në mesin e të cilëve edhe çelësi i veturës.
Me këto veprime i pandehuri sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale grabitja dhe tentim grabitja.
Sipas pikës së tretë të aktakuzës, i pandehuri më datë 4 maj 2023 rreth orës 13:35 min , në Prishtinë, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “CR” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme te personit tjetër – të dëmtuarës “CR” me qëllim që t’ i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.
I njëjti pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen ne Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij arratiset ne Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës se tipit “BLOW C75” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A. F., të cilës i drejton armën e zjarrit duke i thënë fjalët “a po mi qet krejt paret”.
E dëmtuara e ndier kanosur dhe e stresuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2,280 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të veturës me të cilën largohet ne drejtim te panjohur.
Më datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si në pikën I, II dhe llI të dispozitivit të aktakuzës, i akuzuari posedon armë në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L-022 për Armët, në atë mënyrë qe pas grabitjeve te kryera nën kërcënimin e armës, i pandehuri bëhet i paarritshëm për organet e ndjekjes deri më datë 5 maj 2023 i cili arrestohet dhe konstatohet se i njëjti ka mbajtur në posedim armën e zjarrit- pistoletën e tipit “BLOW C75” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe, Cal. 9 mm P.A.K. me numër serik B6114-20l20126, si dhe një sharzher, për të cilën armë nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.
Me këto veprime ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.