Foto arkiv

Foto: arkiv

11 vite burgim dhe gjobë nën akuzën se grabiti mbi 13 mijë euro në 'Finca' dhe 'Capital Ria'

Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Dardan Gashin me dënim unik prej 11 vite burgim dhe me gjobë prej 3 mijë e 500 euro nën akuzën për grabitje të 13 mijë 650 euro në dy institucione mikro-financiare.

Aktgjykimi është shpallur të premten nga gjykatësi Artan Sejrani, ndërkaq aktakuza përfaqësohet nga prokurori Petrit Kryeziu.

Fillimisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar për veprën me të cilën ngarkohej.

Për veprën penale grabitja nga neni 317, të akuzuarit Gashi i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Kurse, për veprën tjetër të grabitjes nga neni 317 i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Për veprën penale armëmbajtje pas leje nga neni 366 i KPRK-së, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Ndërkaq, sipas Gjykatës të akuzuarit dënimi unik i është shqiptuar në kohëzgjatje prej 11 vite, i cili dënim do t’i llogaritet nga koha e kaluar në paraburgim nga 4 maji 2023.

Ndaj të njëjtit është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Gashi, që të paguajë dëmin material në shumën prej 11 mijë e 370 euro të dëmtuarës “Finca” dhe shumën prej 2 mijë e 280 euro të dëmtuarës “Capital Ria”.

Gjithashtu, të akuzuarit i është konfiskuar dhe vetura dhe gjërat e tjera me të cilat është kryer vepra penale. Të dëmtuarit në këtë rast, janë udhëzuar në kontest civil.

Sipas Prokurorisë Dardan Gashi më datë 27 janar 2023, rreth orës 15:09 në Prizren, në objektin e filial mikro -financiar “F” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër -të dëmtuarës “F” me qëllim që t’ i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.

Ai akuzohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – pistoletës se tipit “BLOË 05” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filiales Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu duke i thënë fjalët “shpejt shpejt brenda”, me të cilin hyn brenda duke bërtitur “paret, paret shpejt.. mos t ‘ju dhimbsen se nuk janë paret e juaja, janë të bankës “me ç‘rast arrin që t’ i marrë 11,370.00  euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Më datë 3 maj 2023 rreth orës 16:01, sipas prokurorisë, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “F” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “F” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.

I njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës së tipit “BËË C75 ” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe, tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit- i dëmtuari S. Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime te lehta trupore me pasoja te përkohshme te shëndetit të shkaktuara nga mjeti i fortë mprehtës.

I gjendur në situatë konfrontimi dhe i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe gjatë ikjes të njëjtit në vendin e ngjarjes i bie një çadër, një çantë dhe çelësat që kishte me vete, në mesin e të cilëve edhe çelësi i veturës.

Me këto veprime i pandehuri sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale grabitja dhe tentim grabitja.

Sipas pikës së tretë të aktakuzës, i pandehuri më datë 4 maj 2023 rreth orës 13:35, në Prishtinë, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “CR” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme te personit tjetër – të dëmtuarës “CR” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.

I njëjti pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen ne Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij arratiset ne Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës se tipit “BLOË C75” ngjyrë e zezë, me dorezë ngjyrë kafe, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit duke i thënë fjalët “a po m’i qet krejt paret”.

E dëmtuara e ndier kanosur dhe e stresuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2,280 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të veturës me të cilën largohet në drejtim të panjohur.

Më datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si në pikën I, II dhe III të dispozitivit të aktakuzës, i akuzuari posedon armë në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L-022 për Armët, në atë mënyrë qe pas grabitjeve te kryera nën kërcënimin e armës, i pandehuri bëhet i paarritshëm për organet e ndjekjes deri më datë 5 maj 2023 i cili arrestohet dhe konstatohet se i njëjti ka mbajtur në posedim armën e zjarrit- pistoletën e tipit “BLOË C75” ngjyrë e zezë me dorezë ngjyrë kafe, Cal. 9 mm P.A.K. me numër serik B6114-20l20126, si dhe një sharzher, për të cilën armë nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.

Me këto veprime ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Dosja e të dyshuarit për grabitje të mbi 13 mijë eurove në bankat e vogla në Prizren dhe Prishtinë