Gjykata vendos për njërin nga të bashkëpandehurit në rastin e Haxhi Shalës, të akuzuar për dallavere me vota në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Dardan Gashi i akuzuar për falsifikim me rezultate të votimit në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 është dënuar me një vit dënim me burgim me kusht. Kjo pasi, i pandehuri dhe prokurori i prokurorisë speciale, Ilir Morina, kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Dënimi prej 12 muajve me burgim nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri nuk kryen vepër penale në periudhën kohore prej një viti.

Kurse si dënim plotësues të akuzuarit për pikën dy të aktakuzës ju shqiptua ndalimi i funksionit në administratë publike në periudhë kohorë prej një viti.

Në këtë rast i akuzuar për falsifikim me rezultate të votimit është edhe ish kandidati për deputet nga radhët e Nismës, Haxhi Shala dhe 6 të tjerë.

Për Gashin dhe për të akuzuarin Granit Halilaj ishte veçuar lënda pasi që të dy kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Gashi me të filluar seanca lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë konfirmoi para gjykatës se marrëveshja është arritur me vullnet dhe pa preison. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe mbrojtësja e Gashit, Sahdete Gashi.

Gjykimi tashmë i veçuar është duke vazhduar për ish-kandidatin për deputet, Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj dhe Përparim Përvetica.

Halilaj ishte dënuar me 1 vit dënim me burgim me kusht, nga gjykata me në krye Vesel Ismaili si kryetar i trupit gjykues, Violeta Namani dhe Suzana Qerkini- anëtarë.

Për këtë rast, dëshmi kishte dhënë ish – ministrja e Punëve të Jashtme, Melisa Haradinaj – Stublla më 13 nëntor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, për falsifikim të rezultateve të votimit akuzohen Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj dhe Përparim Përvetica.

Pesë të lartcekurit akuzohen se nga 1 janari i vitit 2021 e deri më datën 10 mars të atij viti në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë i falsifikojnë rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 14 shkurtit të vitit 2021.

Aktakuza shpjegon se si të pandehurit Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj si punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në marrëveshje paraprake me të pandehurin Përparim Përvetica i falsifikojnë rezultatet e votimit, me qëllim të shtimit të votave për kandidaten Meliza Haradinaj- Stublla nga radhët e AAK-së. Pasi që gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë, i shtojnë 65 vota kandidates për deputete Haradinaj-Stublla.

Tutje, sipas Prokurorisë, më 2 mars të atij viti, i pandehuri Sahit Mataj dhe Arbër Krasniqi takohen me dëshmitarin J. B. (bashkëshorti i kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi), ku gjatë diskutimit i tregojnë dëshmitarit se i kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve duke i shtuar vota kandidates Meliza Haradinaj- Stublla, kurse dëshmitari J. B. i kishte incizuar dhe i kishte publikuar në mediat vendore.

Pas kësaj, gjatë kontrolli të kryer nga KQZ dhe hetuesit e Policisë në QNR janë rinumëruar votat dhe janë konstatuar se kandidates në fjalë i janë shtuar 65 vota.

Pas publikimit të audio-incizimeve, sipas aktakuzës, i akuzuari Përparim Përvetica e thërret të pandehurin Ilirjan Hysenaj në Viber, dhe bisedojnë lidhur me shtimin e votave për Haradinaj-Stubllën dhe për arrestimin e Sahit Matajt e Arbër Krasniqit.

Në pikën dy të aktakuzës, akuzohen Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi se me dashje dhe bashkëkryerje i falsifikojnë rezultatet përfundimtare zgjedhore, duke i shtuar vota të pandehurit Haxhi Shala – kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi (djali i motrës së të pandehurit Shala), planifikojnë dhe i shtojnë vota të pandehurit Shala.

Me 1 mars të vitit 2021 i pandehuri Mataj i dërgon SMS Haxhi Shalës me përmbajtje: “Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen a është e vërtet?”. “Po” – i përgjigjet Shala.

Mataj i përgjigjet prapë Shalës: “U kry komandant, po i mshojmë karate, në Drenas tu ka rrit pram me kusht”.

Tutje i akuzuari Mataj vazhdon ta informojë Shalën se në Drenas nga 2 vota i janë bërë 35. Një ditë pas, më 2 mars 2021, Mataj sërish i shkruan SMS Shalës me tekstin: “Komando fort përfekt ka shku, dëgjohemi nesër”.

Më 2 mars 2021, i akuzuari Dardan Gashi i dërgon SMS të pandehurit Mataj: “M*** u bo, m*** u bo më nxunën man, krejt kutinë me qel prap, në rinumërim prap, q*** nanën, natën e mirë.”

Me këto veprime të tre të lartcekurit secili veç e veç akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e votimit.