Analiza e Democracy Plus – Sa u respektua ligji kur u shkarkua Kimete Gashi nga OShP

Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+) ka publikuar një analizë bashkë me rekomandime në lidhje me procedurat e shkarkimit të anëtarëve të agjencive të pavarura.

Në raportin e organizatës D+, sqarohen procedurat se si mund të shkarkohet një anëtar i një agjencie të pavarur, duke u bazuar në ligjet sektoriale (Ligjin për Prokurimin Publik), dhe Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.

Përmes një konference për media, derisa kanë prezantuar raportin, përfaqësuesit e organizatë D+ kanë analizuar edhe mënyrën e shkarkimit të anëtares së bordit të OShP-së, Kimete Gashi.

Dardan Gashi nga Demokraci Plus tha para mediave se shkarkimi i anëtarëve të OShP-së do duhej të bëhej përmes gjykatës kompetente dhe jo në formën se si është bërë, përmes Kuvendit.

“Procedura e shkarkimit të anëtares së OshP-së është e pazakontë ngase as Ligji Sektorial (LPP) e as ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP) nuk parashohin një procedure të tillë” – tha Dardan Gashi nga D+.

“Në këtë rast Qeveria kishte kërkuar nga Kuvendi shkarkimin e saj, kurse LPP thotë që Qeveria mund të kërkojë shkarkimin e saj vetëm nëse ka vendim nga Gjykata kompetente. Në anën tjetër, LOFAShAP përcakton që si emërimi ashtu edhe shkarkimi i anëtarit të organit kolegjial të agjencisë së pavarur të bëhet në pajtim me ligjin sektorial” – tha tutje Gashi nga D+.

Ata kanë rekomanduar që inicim për shkarkimin e ndonjë anëtari apo titullari të organit kolegjial të agjencive të pavarura të bëhet vetëm sipas ligjit që themelon atë agjenci.

“Në rastin e anëtarit të OShP-së, nëse Qeveria është e pakënaqur me performancën e një apo më shumë anëtarëve, propozimi për shkarkimin e tij/saj duhet ta bëjë në Gjykatën kompetente duke dhënë arsye dhe prova që e dëshmojnë këtë iniciativë. Kjo procedure vlen deri në ndryshimin e LPP-së nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve(MFPT) dhe miratuar në Kuvend të Kosovës” – ka thënë Ardit Dragusha nga Demokraci Plus.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Democracy Plus.

Kuvendi i Kosovës, më 13 korrik të këtij viti, me 58 vota për kishte shkarkuar anëtaren e bordit të OSHP-së, Kimete Gashin.

Në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Qeveria nuk kishte dhënë një arsyetim konkret për kërkesën për shkarkimin vetëm të saj, edhe pse në panelin shqyrtues në të cilin ishte marrë vendimi për kthimin në rivlerësim të tenderit për insulina, kanë qenë edhe dy anëtarë të tjerë të bordit të OSHP-së.

OSHP-ja ishte pa bord për më shumë një vit, kur u funksionalizua tek më 23 qershor 2022.

Në bordin e OSHP-së u patën zgjedh Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.

Përveç tyre, në bordin e OSHP-së u patën emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi. Vjosa Mexhuani Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së. Mexhuani ishte kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.