Meliza Haradinaj-Stublla - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Haxhi Shalës dhe të tjerëve për falsifikim të rezultatit të votimit, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se iu vodh mandati

Pas dhënies së fjalëve hyrëse nga palët në procedurë, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dëshminë e saj në gjykimin e ish-kandidatit për deputet nga radhët e AAK-së, Haxhi Shala, dhe gjashtë të tjerëve, të akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimit.

Falsifikimi me vota, sipas Prokurorisë, ka ndodhur në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të vitit 2021.

Meliza Haradinaj-Stublla dëshminë e saj e filloi duke treguar se mandatin për deputete nuk e kishte fituar në atë kandidaturë pasi mandati i ishte vjedhur nga një skemë piramidale dhe e njëjta e konsideroi vetwn të dëmtuar.

“Me bindjen time po, por pas një skeme piramidale më është vjedhur mandati dhe tani jam palë e dëmtuar”-  tha ajo.

Lidhur me shantazhin e përmendur nga dëshmitarja reagoi prokurori special, Ilir Morina, i cili e pyeti dëshmitaren për emrat e personave që e kanë shantazhuar.

“Florentina Gjergja dhe Albana Bytyqi, të cilat kanë pretenduar publikisht se unë kam ushtruar ndikim në QNR”- u përgjigj dëshmitarja.

Meliza Haradinaj-Stublla tha se audio-incizimi, në të cilin pretendohet se bashkëshorti i saj ishte duke komunikuar me të akuzuarit, ishte bërë me qëllim që të njollosej personaliteti i saj.

Lidhur me pretendimin e Prokurorisë së në rinumërim ishte konstatuar se votat për Haradinaj-Stubllën ishin rritur, dëshmitarja tha se janë bërë për njollosje të emrit e jo që t’i ndihmohet të fitonte mandatin e deputetes.

Për këtë rast marrëveshje për pranim të fajësisë kishin arritur Dardan Gashi dhe i akuzuari Granit Halilaj, për të cilët u veçua lënda. Për Gashin lënda u veçua edhe me arsyen e mungesës së tij. Kurse Halilaj ishte prezent në sallë por meqenëse kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë shpallja për të njëjtin do të bëhet nesër.

Seanca e radhës nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli për këtë rast u caktua për më 16 nëntor, kur pritet që mbrojtja e të akuzuarve ta marrë në pyetje dëshmitaren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale për falsifikim të rezultateve të votimit akuzohen Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj dhe Përparim Përvetica.

Pesë të lartcekurit akuzohen se nga 1 janari i vitit 2021 e deri më datën 10 mars të atij viti në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë i falsifikojnë rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 14 shkurtit të vitit 2021.

Aktakuza shpjegon se si të pandehurit Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj si punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në marrëveshje paraprake me të pandehurin Përparim Përvetica i falsifikojnë rezultatet e votimit, me qëllim të shtimit të votave për kandidaten Meliza Haradinaj- Stublla nga radhët e AAK-së. Pasi që gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë, i shtojnë 65 vota kandidates për deputete Haradinaj-Stublla.

Tutje, sipas Prokurorisë, më 2 mars të atij viti, i pandehuri Sahit Mataj dhe Arbër Krasniqi takohen me dëshmitarin J.B. (bashkëshorti i kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi), ku gjatë diskutimit i tregojnë dëshmitarit se i kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve duke i shtuar vota kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, kurse dëshmitari J.B. i kishte incizuar dhe i kishte publikuar në mediat vendore.

Pas kësaj, gjatë kontrolli të kryer nga KQZ dhe hetuesit e Policisë në QNR janë rinumëruar votat dhe janë konstatuar se kandidates në fjalë i janë shtuar 65 vota.

Pas publikimit të audio-incizimeve, sipas aktakuzës, i akuzuari Përparim Përvetica e thërret të pandehurin Ilirjan Hysenaj në Viber, dhe bisedojnë lidhur me shtimin e votave për Haradinaj-Stubllën dhe për arrestimin e Sahit Matajt e Arbër Krasniqit.

Në pikën dy të aktakuzës, akuzohen Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi se me dashje dhe bashkëkryerje i falsifikojnë rezultatet përfundimtare zgjedhore, duke i shtuar vota të pandehurit Haxhi Shala – kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi (djali i motrës së të pandehurit Shala), planifikojnë dhe i shtojnë vota të pandehurit Shala.

Me 1 mars të vitit 2021 i pandehuri Mataj i dërgon SMS Haxhi Shalës me përmbajtje: “Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen a është e vërtet?”. “Po” – i përgjigjet Shala.

Mataj i përgjigjet prapë Shalës: “U kry komandant, po i mshojmë karate, në Drenas tu ka rrit pram me kusht”.

Tutje i akuzuari Mataj vazhdon ta informojë Shalën se në Drenas nga 2 vota i janë bërë 35. Një ditë pas, më 2 mars 2021, Mataj sërish i shkruan SMS Shalës me tekstin: “Komando fort përfekt ka shku, dëgjohemi nesër”.

Më 2 mars 2021, i akuzuari Dardan Gashi i dërgon SMS të pandehurit Mataj: “M*** u bo, m*** u bo më nxunën man, krejt kutinë me qel prap, në rinumërim prap, q*** nanën, natën e mirë.”

Me këto veprime të tre të lartcekurit secili veç e veç akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e votimit.