Ilustrim: Studentët protestojnë para parlamentit. 13 dhjetor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Edi Rama reziston përballë kërkesave të studentëve

Kryeministri shqiptar Edi Rama rezistoi ndaj kërkesave të studentëve për përmirësim të kushteve nëpër universitete dhe përgjysmim të tarifave ndërsa protestuesit duket se ruajtën kohezionin duke refuzuar në masë të zgjedhin përfaqësues dhe të hyjnë në negociata me qeverinë.

Mijëra studentë u mblodhën në Tiranë pranë Kuvendit të Shqipërisë në një tjetër protestë masive kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama duke kërkuar përgjysmim të tarifave vjetore të arsimit të lartë, përmirësim të kushteve në universitete dhe anulim të ligjit të vitit 2015 “Për Arsimin e Lartë,” i njohur më së shumti si “reforma në arsim”.

Protesta e studentëve në Tiranë u përqendrua sot para selisë së Kuvendit ndërsa më herët, grupe të vogla studentësh dhe protestuesish të tjerë kaluan natën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Jeta universitare pothuajse në të gjithë vendin mbetet aktualisht e paralizuar, me studentë që refuzojnë të marrin pjesë në mësim dhe me një pjesë jo të vogël të stafeve akademike që kanë dalë në mbështetje të kërkesave të tyre.

Brenda Kuvendit të Shqipërisë kryeministri Edi Rama debatoi me deputetët e opozitës, të cilët mbështesin kërkesat e studentëve. Rama iu drejtua gjatë ditëve të fundit së paku dhjetë herë studentëve me ftesë për atë që e quan “dialog”. Ai përdori faqet e tij në Facebook, Twitter dhe Instagram për të mbërritur te studentët, shumica e të cilëve kanë lindur pas vitit 1998.

“Gati t’i plotësojmë një për një kërkesat e studentëve, por duhet një dialog me studentët”, deklaroi Rama në Facebook të enjten. “Protesta e studentëve, shuplakë qeverisë, grusht opozitës, shpresë shoqërisë”, komentoi ai më herët. “Unë jam me ju,” shtoi ai në Twitter.

Studentët duken të pavendosur për vendin e grumbullimit të protestave në Tiranë, ku disa preferojnë Bulevardin Dëshmorët e Kombit para selisë së kryeministrit ndërsa disa të tjerë, Ministrinë e Arsimit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, studentët duken në masë të vendosur për të mos negociuar dhe për të vijuar protestat.

Ndjekje dhe mosndjekje

Studentët protestojnë para parlamentit. 13 dhjetor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Mëngjesin e të mërkurës, media shqiptare raportoi për një komunikatë të brendshme të Policisë së Shtetit, në të cilën raportohej se një numër aktivistësh, përfshirë personat kyç të Lëvizjes për Universitetin si dhe profesori Edmond Tupja ishin vënë në procedim penal në gjendje të lirë sepse sipas policisë “kanë protestuar në mënyrë të paligjshme”.

Profesor Tupja, 71 vjeç, shqipërues dhe autor i shumë librave, është angazhuar në mbështetje të studentëve në shesh dhe në studio televizive, duke i rekomanduar më herët ministres së Arsimit Lindita Nikolla të japë dorëheqjen si ministre dhe t’i bashkohet protestës studentore.

Vendosja e tij në listën e personave të proceduar shkaktoi më së shumti tallje në rrjetet sociale por edhe indinjatë. Studentët nga ana e tyre shtuan një pikë të nëntë në kërkesat e veta, “ndalimin e procedimit penal për protestuesit”.

Dukshëm të vënë në siklet, Policia e Shtetit publikoi  një deklaratë mesditën e të mërkurës, në të cilën thuhej se “në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash.” Pyetur nga BIRN, zëdhënësi i policisë së shtetit refuzoi të qartësojë se çfarë nënkupton me “raste të shkëputura personash” dhe as të japë emrat e personave në fjalë.

Të enjten në parlament, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tentoi të përgënjeshtrojë lajmin si “të pavërtetë”.

“…Lajmi është plotësisht i pavërtetë”, deklaroi Lleshaj në kuvend. “Dje nuk ka pasur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e vendit,” shtoi ai.

Mohimi kategorik nga Lleshaj i procedimeve duket se bie ndesh me deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit në të cilën thuhet: “Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash”.

Gazeta Panorama ndërkohë publikoi atë që thotë se është “komunikatë e brendshme” e Policisë së Shtetit, në të cilin, emri i Profesor Tupes është i pari në listë.

Buxheti i shtetit pezull

Studentët protestojnë para parlamentit. 13 dhjetor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi ndërkohë të enjten se ka kthyer për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë ligjin e miratuar pak ditë më parë për buxhetin e shtetit 2019. Sipas Metës, dekreti i tij lidhet me dëshirën për të krijuar një mundësi për ndryshime në këtë ligj të nevojshme për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Problemi është se ligji i buxhetit duhet të hyjë në fuqi para 1 janarit 2019, përndryshe Ministria e Financave do të detyrohet të punojë në ditët e para të vitit të ardhshëm me një formulë kushtetuese që rrallë herë është zbatuar më parë që parashikon zbatimin e ligjit të buxhetit 2018 të pjesëtuar me 12.

Rrëzim i ligjit për Arsimin e Lartë

Qeveria socialiste miratoi në vitin 2015 mes debateve shumë të ashpra një ligj të ri për Arsimin e Lartë të vendit, ku përcaktohet një shkallë bashkëqeverisjeje në bordet universitare mes stafeve akademike dhe Ministrisë së Arsimit si dhe përmes emërimit të administratorëve në universitetet publike. Kërkesa kryesore e një pjese të stafeve akademike aktualisht është rrëzimi i këtij ligji si dhe anulimi i ndërhyrjes së qeverisë në bordet akademike dhe në administrimin e universiteteve.

Profesor Artan Fuga, një nga kritikët më të hershëm të ligjit për Arsimin e Lartë, deklaroi: Shkarkoni drejtorët dhe bordet e agjencive që ka mbarsur ligji për arsimin e lartë! Kështu niset mirëbesimi jo për monolog (llogje me vetveten)”.