Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Edhe Gjilani mbetet pa certifikata pas anulimit të tenderit nga MPB

Pas Komunës së Prishtinës që është deklaruar se ka mungesë të formularëve për certifikata edhe Komuna e Gjilanit ka njoftuar për një problem të tillë.

Përmes një njoftimi është thënë se në vend të formularëve, qytetarët do të pajisen me dokumente të shtypura në letër të bardhë deri sa MPB të gjejë një zgjidhje.

“Drejtoria e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit, njofton të gjithë qytetarët se duke u bazuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nr. 02 – 1861 të datës 28.03.2019, se nga data: 28.03.2019, për shkak të mungesës së formularëve (dokumenteve të gjendjes civile – certifikatave), qytetarët mund të pajisen me dokumente të gjendjes civile të shtypura në letër të bardhë deri në njoftimin tjetër nga MPB-ja. Ndër të tjerat, në njoftimin e MPB-së, thuhet: “Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovë”, është thënë në njoftim.

Dje, zyra e Gjendjes Civile në Prishtinë ka punuar vetëm deri në ora 12:00.

“Me sasinë e certifikatave që momentalisht disponojmë në Komunën e Prishtinës, shërbimet mund të ofrohen deri sot, 28 mars 2019, në orën 12:00. Pas orës 12:00, zyrat e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës nuk do të jenë në funksion”, thuhej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

https://kallxo.com/komuna-e-prishtines-mbetet-pa-certifikata-per-shkak-te-anulimit-te-tenderit-te-mpb-se/

Ministria e Punëve të Brendshme dje përmes një komunikate ka njoftuar se Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me kohë ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, mirëpo për arsye procedurale  ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile.

https://kallxo.com/ministria-e-puneve-te-brendshme-sqaron-mungesen-e-certifikatave-neper-komuna/

Me mungesë të certifikatave janë duke u ballafaur të gjitha Komunat.