Ilustrim Parada e krenarisë - Foto: Atdhe Mulla
Dy Raste të Hapura në Polici Lidhur me Paradën e Krenarisë
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka hapur dy raste që ndërlidhen me Paradën e Krenarisë, të organizuar dje në qendër të Prishtinës nga organizatat që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e komunitetit LGBTI.
Rreth orës 15:05, viktima mashkull, shtetas zviceran, ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar mashkull, i cili ishte larguar në drejtim të panjohur, tha për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë, Florie Ahmeti.
Sipas zëdhënëses, viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKUK.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore.
Një rast tjetër, sipas zëdhënëses Florie Ahmeti, ka ndodhur në rrugën “Zeki Shylemaja” të kryeqytetit, rreth orës 13:00.
“Një person ka raportuar se është fyer dhe kanosur nga disa të dyshuar të panjohur. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, ka theksuar zëdhënësja Ahmeti.
Ndryshe, dje është organizuar Parada e parë e Krenarisë në Kosovë.
Në të kanë marrë pjesë qindra persona, përfshirë edhe drejtues të institucioneve të Kosovës, në krye me presidentin Thaçi, dhe shefa të misioneve diplomatike dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të akredituar në Prishtinë.