Rrëfimi i Shemsije Musa-Çerkinit për djalin gay dhe fjalimin në “Paradën e Krenarisë” (VIDEO)

Shemsije Musa-Çerkini ishte pjesëmarrëse dje në “Paradën e Krenarisë”, ku edhe ka mbajtur një fjalim duke thënë se para të pranishmëve tjerë qëndron si një nënë krenare e djalit të saj gay.

Musa-Çerkini ka rrëfyer se djali i saj, në moshë të hershme e ka shprehur orientimin e tij seksual. Ajo thotë se e ka përkrahur dhe pranuar djalin e saj.

“Nuk përben diçka rrezik as për familjen as për askënd”, shprehet ajo.

Ndonëse thotë që gjithmonë e ka përkrahur djalin e saj, ajo në fillim ka pasur momente kur ka thënë se ai mund të ndryshojë më kohën.

Musa-Çerkini e ka pyetur djalin se çfarë përcaktim ka, dhe sipas saj, djali nuk e ka fshehur se është gay.

“Në fillim as unë nuk kam dashtë me kuptua, kam thanë ndryshon me kohë. E kam pyet, çfarë përcaktimi ki, qysh po ndihesh në lëkurën tënde, e ka pranu edhe ai, nuk e ka mshef. E kam përkrah dhe e kam pranu prej fillimit. Nuk kam mundur me lanë në rrugë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se djali i saj e ka edhe përkrahjen e pjesës tjetër të familjes.

Përkundër kësaj, Musa-Çerkini ka thënë se ai ka kaluar shumë vështirësi kur ka dalë në rrugë.

E për shkak që ai kohën e fundit ka kaluar vështirësi dhe ka qenë keq, e ka berë Shemsijen që të dalë publikisht dhe ta përkrah djalin e saj.

“Kjo më ka bë që me dal publikisht me pranua. Duhet me qenë të vetëdijshëm ata prindër se çfarë kalojnë këta fëmijë. Nuk ka qenë problem brenda familjes por ka qenë me dalë në rrugë, me frymu lirshëm, me u vesh qysh ky don, qysh ky ndihet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se djali i saj, e ka pasur përkrahjen e mësimdhënësve në shkollë. Sidomos në shkollën e mesme ku ai vijon mësimet aktualisht.

“Mundem shumë me ju falënderua për përkrahjen që e ka pas djali. E kanë trajtu tepër mirë. Kanë thënë që për ne është si fëmijët tjerë”, ka rrëfyer ajo.

Musa-Çerkini e ka rrëfyer historinë dhe përvojën si një nënë e një djali gay, mbrëmë në emisonin “Kallxo Përnime”.

Musa-Çerkini si një nënë e një djali gay, ka thënë se ka pasur raste kur fëmijët kanë kërkuar nga ajo që të bisedojë me prind tjerë për të ndikuar në marrëdhëniet mes tyre.

Ajo thotë se prindërit duhet t’i përkrahin fëmijët e tyre çfarëdo qofshin ata.

“Ka fëmijë që më kanë pyet nëse mundem me u taku me prindërit e tyre, unë nuk e kam problem nëse mundem me ndiku tek ta. Unë nuk e di qysh duhet me qenë familja e shëndoshë kur nuk i përkrahin fëmijët e tyre”, ka thënë Musa-Çerkini.

Ajo dje gjatë paradës e ka mbajtur një fjalim.

“Evladi është bujashka e prindit. Rehati e evladi është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë botë. Jam krenare që është ai çka është”, ka thënë ajo.

Shemsije Musa-Çerkini në “Paradën e Krenarisë”, 09.06.2022.

Ajo ka thënë se sa herë që kalon kohë me personat LGBTI+ e mbushin me jetë atë, duke shtuar se ndihet rehat kur është pranë tyre, por se i dhemb zemra kur i tregojnë se si ata trajtohen.

“Nëse e keni vështirë me e kuptu botën e tyre s’ka gajle, por kjo nuk do të thotë me ua bë jetën më të vështirë atyre”, ka thënë tutje ajo.

Sipas kësaj nëne, Kosova ka dështuar si shtet në trajtimin e komunitetit LGBTI+ si njerëz.

“Ata gjithmonë janë kanë mes neve, janë dhe kanë me kanë gjithmonë. Nëna si unë ka plotë, nëse familja nuk ju pranon dijeni që e keni familjen më të madhe që ju do pa kushte. Dije që meritoni dashuri, njohje dhe respekt”, tha ndër të tjera Musa Çerkini.

Dje në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.

Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

Nën tingujt e muzikës dhe praninë e ngjyrave ecja dhe vallëzimi është bërë nga sheshi “Skënderbeu” për të përfunduar organizmin me një koncert muzikor te Pallati i Rinisë.