Aktivistja Çerkica Rexhepi. Foto: 09.06.2022

Rrëfimi i Çerkica Rexhepit - E përzënë nga shtëpia si 13-vjeçare

“Lëkura ime është mashkull, por përbrenda jam femër”, kështu e përshkruan veten Çerkica Rexhepi e cila thotë se diku rreth moshës 13 vjeçare e ka kuptuar orientimin seksual.

Teksa flet për fëmijërinë e saj, rreth viteve të 90-ta, thotë se qysh atëherë pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar me vajza dhe gra.

Ajo thotë se 13 vitet e para të fëmijërisë i ka kaluar në shtëpinë e saj në qytetin e Fushë Kosovës dhe pastaj për shkak të problemeve që ka pasur me familjen e saj, është detyruar ta vazhdojë jetesën e vetme në kryeqytet.

“Para 36 viteve, në vitet ’90, ka qenë fillimi, 13-vjeçar kur e kam ditur se çka jam. 10 vjet kur i kam pasë unë e mendojsha veten që jam femër, rrija me femra. Punojsha me femra si fëmijë”, rrëfen Çerkica Rexhepi kur flet për jetën e saj të hershme.

“Unë e kam ditur veten që jam femër, nuk e kam ditë veten që jam mashkull. Kur dola prej Fushë-Kosovës në Prishtinë dhe e dita veten që jam gay, dhe thash nuk qenkam femër normale por qenkam mashkull-femër. Lëkura ime është mashkull por përbrenda jam femër”, thotë ajo.

Çerkica Rexhepi rrëfen se si familjarët e saj e kishin përzënë nga shtëpia në një moshë krejt të re.

“13 vjet i kam pasur kur më kanë përzënë. Më kanë thënë pe mban veten si femër, nuk je për ne. Më kanë thënë del prej shtëpisë”, thotë ajo.

Aktivistja Çerkica Rexhepi. Foto: 09.06.2022

Rrëfimin e saj, Çerkica e vazhdon me disa momente nga një festë e organizuar në vitet 90’ në shtëpinë e një mikeshës së saj në Prishtinë.

Ajo thotë se në atë ndejë për herë të parë është takuar me pjesëtarë tjerë të komunitetit LGBTI+ dhe thotë se në atë organizim kanë qenë të pranishëm rreth 20 persona.

“E kam një shoqe, është e verbër, ajo është LGBT dhe shtëpia e saj është shtëpia e parë që është hapur si klub. Jena mbledh aty. Në atë ndejë kanë qenë nja 20 veta”, thotë Rexhepi.

Çerkica kthimin në shtëpinë dhe familjen e saj e ka përjetuar 10 vite pasi ishte përzënë.

Ndonëse thotë se e ka të vështirë të flas, ajo thotë se këto 10 vite të jetës i ka kaluar rrugëve.

“Gjëra të këqija, gjëra përdhunuese. Nuk di si me ta shpjegu. Kur t’i përmendi ato sende, më kap mërzi e madhe dhe njëfarë stresi e kam”, kështu e ka përshkruar ajo një dekadë të jetës së saj.

Në moshën 23 vjeçare, Çerkica thotë se ka shkuar nuse në qytetin e Pejës.

“Unë u martova në Pejë. U bëra nuse. Me vullnet jam martuar. Jam martuar me një djalë. I kam hyrë brenda djalit, me vello. Në vitin 1993. U martova, qëndrova aty nëntë muaj”

“Më thanë që e kanë kuptua familja që janë martuar, edhe kanë me t’i sjell Policinë. Pas kësaj, mbas dy ditëve jam ardhur në Fushë-Kosovë. Kur kam ardhur në Fushë-Kosovë vëllai ka dashtë me m’i hekë flokët. Ju thash që kam me dalë prej shtëpisë krejt dhe mos më lypni as me Polici, lërmëni rahat”, ka shpjeguar ajo.

Ajo ka rrëfyer se nuk ka qenë e martuar zyrtarisht.

Në mars të vitit 2022, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Në këtë Projektkod për personat me sekse të njëjta thuhej se bashkësitë e regjistruara civile mes tyre janë të lejuara.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, shpjegohet në Projektkod.

Cerkica Rexhepi historinë e jetës së saj e ka treguar mbrëmë në emisionin “Kallxo Përnime”, në ditën përmbyllëse të “Javës së Krenarisë”, në Kosovë.

Rexhepi derisa ka folur për pjesëmarrjen e saj në “Paradën e Krenarisë”, të mbajtur dje në Prishtinë, rrëfen elemente nga jetesa e saj në vitet 90-ta dhe thotë se në atë kohë pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ kanë pasur probleme, janë rrahur e maltretuar.

“Unë kam qenë i vogël, e mbajsha vetën si femër, edhe kanë menduar që unë jam femër. Unë nuk kam pasur probleme të mëdha. Por të tjerët kanë pasur probleme. I merrshin brenda në Polici, i rrahshin, i maltretojshin e të gjitha”, ka shtuar Rexhepi.

“Bullzimin si në vitet 90’ta nuk e kem, por ne bullizim kemi deri në vdekje”, thotë ajo.

Dje në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.

Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

Nën tingujt e muzikës dhe praninë e ngjyrave ecja dhe vallëzimi është bërë nga sheshi “Skënderbeu” për të përfunduar organizmin me një koncert muzikor te Pallati i Rinisë.