Kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, e nisë në Prekaz fushatën e tij zgjedhore – Foto: KALLXO.com

Drenori Premton ‘Imazh Krejt Tjetër’ për Drenasin

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, fushatën zgjedhore e nisi në vendin e shenjtë sipas tij – në kompleksin e Jasharajve në Prekaz.

Këtë veprim ai e arsyetoi me faktin se hapja e fushatës rastisti të jetë sot, më 28 Nëntor, datë shumë e veçantë për popullin shqiptar, pasi që është përvjetori i pavarësisë së Shqipërisë, është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe në këtë datë doli për herë të parë publikisht UÇK-ja.

“Ishim sot të perulemi para veprës dhe sakrificës sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, si dhe të gjithë të rënëve për liri, brez pas brezi dhe për t’u betuar që amanetin e bërjes së shtetit do ta vazhdojmë me qeverisje të mirë në Drenas”, tha Drenori.

Sipas kandidatit të pavarur për të parin e Drenasit, më 4 dhjetor qytetarët e kësaj komune janë para një sfide e cila i tejkalon përmasat e zgjedhjes së kryetarit të Komunës.

“Ata thjeshtë janë para sfidës së ndrrimit të kahjes së qeverisjes lokale”, tha Drenori.

Sipas tij, veprimet e shpejta në fushen e arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe pronës, respektivisht kthimi i ligjshmërisë në këto fusha, janë domodoshmëri e kohës dhe si të tilla janë të lidhura ngushtë me krijimin e një imazhi krejt tjetër të komunës së Drenasit.

“Krijimi i imazhit pozitiv Drenasit do të krijonte kushte për ardhje të investitorëve të huaj seriozë në Drenas e më këtë do sigurohej një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe social”, theksoi Xhavit Drenori.

Zgjedhjet për kryetar të kKomunës së Drenasit po mbahen për shkak se kryetarit të kaluar, Nexhat Demakut, Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në akuzat për krime të luftës, ndërsa mandati i kryetarit të zgjedhur më 4 dhjetor do të zgjasë më pak se një vit.

Në hapje të fushatës së kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci, i pari i PDK-së, Kadri Veseli, premtoi 13 milionë euro investime kapitale në Drenas në vitin e parë të qeverisjes komunale.

http://kallxo.com/veseli-vazhdon-premtimet-milioneshe-te-thacit-neper-komuna/

Ndërsa, në prezantimin e kandidatit të Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlajt, u tha se në rast të fitores, Drenasi nuk do të jetë komuna më e varfër e Kosovës.

http://kallxo.com/kandidati-nisma-s-po-u-vjen-fundi-premtimeve-te-rrejshme/

Kurse, gjatë prezantimit të kandidatit të LDK-së, Bedri Nika, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 4 dhjetorit, kryeministri Isa Mustafa tha se Nika do ta drejtojë këtë komunë ”në mënyrën më të mirë”.

http://kallxo.com/ldk-premton-drenasin-pa-korrupsion/

Fushatën sot e ka hapur edhe kandidati i partisë “Fjala”, Vehbi Berisha. I shoqëruar nga kryetari i partisë, Gëzim Kelmendi, edhe Berisha fushatën e ka nisur në Prekaz.

http://kallxo.com/kandidati-fjales-fushaten-per-drenasin-e-nis-nga-prekazi/

Ndërsa, kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR), Elmi Thaçi, premtoi se rrogën e tij të kryetarit të Komunës së Drenasit do t’ua ndajë 10 studentëve të kësaj komune që kanë kushte më të vështira ekonomike.

http://kallxo.com/kandidati-per-drenasin-rrogen-ua-dedikon-studenteve/

Deri më tani, Drenasi është qeverisur gjithmonë nga PDK, që nga zgjedhjet e para lokale të vitit 2000.