Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drenori: Lladrovci e mban drejtor të shëndetësisë personin që ka klinikë private

Kandidati për kryetar të Drenasit nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”, Xhavit Drenori e ka akuzuar kryetarin aktual të komunës së Drenasit se drejtorinë e shëndetësisë e udhëheq një person që ka klinikë private dhe barnatore private.

“Si ndihet kryetari që e mban drejtor të shëndetësisë një person që ka një klinikë private dhe një barnatore private, a nuk është konflikt interesi”, ka thënë Drenori në Debat Pernime.

Në anën tjetër Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ndihet mirë me drejtorin e shëndetësisë për shkak se ka kontribuuar shumë në këtë sektor.

“Unë ndihem shumë mirë me drejtorin e shëndetësisë, është një doktor dhe punëtor i jashtëzakonshëm. Nuk është kurrfarë konflikt interesi sepse ligji e përcakton”, është kundërpërgjigjur Lladrovci.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.