Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Reagimi i Ramiz Lladrovcit pas protestës së Xhavit Drenorit kundër tij

Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, ka kundërshtuar akuzat e kundërkandidatit të tij, Xhavit Drenori lidhur me “uzurpimin e billbordeve”.

Lladrovci në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se e ka rezervuar me kohë hapësirën në billborde, teksa shton se nuk ka ushtruar asnjë ndikim të kompania private.

“Si çdo kandidat, kam paguar vet për billborda, pranë kompanisë private. As unë, e askush nuk mund të krijojë as kufizojë hapësirën e askujt, kjo shprehje demokratike nuk ngulfatet as që mund të ngulfatet. Billborde pa pagesë nuk ofron askush, as nuk mund të rezervoj hapësira për asnjë kandidat”, ka thënë Lladrovci.

Ndërkaq në pretendimin e dytë të Drenorit lidhur me demokracinë në Drenas, Lladrovci tha se “keqbërësit nuk do të ndjehen mirë për sa do ta udhëheq ai komunën”.

Lidhur me çështjen e padive për shpifje, ai deklaroi se çdo spekulim lidhur me këtë, është i qëllimshëm, dhe “traditë e njohur e Drenorit për manipulim të fakteve”.

“Shpifja e radhës, e katërta me radhë, është e lidhur me “Listën e Zezë”, çështje e cila është trajtuar shumë herë, dhe dihet përse kam qenë aty, përse jam i përfshirë. Në asnjë rast, as rrethanë, nuk kam qenë as jam, as do të jem në kundërshtim me interesat e ShBA-së. Prania ime në atë listë, është “kontribut” i keqbërësve denoncues, të cilët nuk i kanë njohur, as njohin raportet e mia të shkëlqyera, si kontribuues i paqes në Maqedoninë e Veriut. Shpifjet e tilla të z. Drenori, i njeh opinioni dhe kanë për qëllim mjegullimin e situatës në fushatën zgjedhore”, ka thënë tutje ai.

Xhavit Drenori nga “Green për Drenas” ka mbajtur sot protestë para ambasadës amerikane dhe KQZ-së.

Ai paralajmëroi kallëzim penal ndaj Lladrovcit.

Drenori tha se ai dhe pesë kandidatët e tjerë për kryetar të Drenasit janë kufizuar në fushatë nga Lladrovci, i cili garon edhe për një mandat.

Ai tha se në Drenas nuk ka frymë të demokracisë dhe se sipas tij, prokurorët shpejt po i mbyllin rastet për shkak të presionit të Lladrovcit.

Gjithashtu mes tjerash përmendi edhe rastin që Ramiz Lladrovci është në listën e zezë të ShBA-ve, gjë për cilën tha se duhet të jenë në dijeni qytetarët e Drenasit.

Xhavit Drenori proteston para ambasadës amerikane dhe KQZ-së